Kryefjala Logo

Shqiptari që u hodh në lumë për t’i shpëtuar, bën tatuazh portretet e dy fëmijëve

18 Qershor, 2025 | 9:13 pm

Kujtimi i dy fëmijëve të mitur, Kleon Fezollai dhe Spyros Kristofor do të mbetet përgjithmonë i shënuar në trupin e Ledian Goga, shqiptari i cili i nxorri nga lumi ku ata ishin futur për tu larë, ngjarje që përfundoi në tragjedi.

Ledian Goga u hodh brenda në lumë duke nxjerrë nga uji dy të miturit, Kleon Fezollai 12 vjeç, dhe Spyros Kristofor 14 vjeç, të cilët ndërruan jetë pas 24 orëve qëndrimi në spital, ndërsa familjarët vendosën të dhuronin organet e tyre.

Shqiptari nga Berati ka bërë tatuazh në pjesën e shpinës portretet e dy të miturve si engjëj teksa i mban në krahë duke u munduar t’i nxjerrë nga uji. Ky ishte dhe premtimi që shqiptari dha pas kësaj tragjedie: “Do t’i bëj tatuazh fytyrat e tyre. Qofshin gjithmonë mbi mua. Gjithmonë në zemrën time.”

Sakaq, qeveria greke i ka dhënë Ledianit dhe nënshtetësinë greke, i cili prej 20 vitesh tashmë jeton në Greqi. Ai është shprehur mirënjohës ndaj këtij vendimi, ndërsa shton se nuk ishte kjo arsyeja qe ndërmori këtë veprim, por thjeshtë mendoi se në lumë mund të ishte fëmija e tij dhe se dontë që t’i shpëtonte sa më shpejt të mundej.

“Më informuan se më kishin dhënë shtetësinë greke. Ministri më telefonoi dje dhe më tha: ‘Po të pres në zyrë të të përqafoj, të të përshëndes dhe të pi një kafe’ dhe të më japë shtetësinë.” Kur e pyetën nëse kishte ndonjë rëndësi për të marrja e shtetësisë, ai u përgjigj: “Jo, kam qenë në Greqi për 20 vjet me dokumente, pa dokumente. Erdha kur isha 17 vjeç dhe jam 41 vjeç. Greqia është vendi im i dytë, si mund t’ju them tani, të cilin e dua dhe nuk kam qenë askund, as në Itali. U rrita këtu, vitet më të mira të jetës sime.

Isha me dokumente dhe pa dokumente për 20 vjet. Nuk e bëra për shtetësi. Jam mirënjohës që do t’i japin të gjithë familjes kartat e identitetit, por mendova që në momentin që hyra se fëmija im ishte brenda. Doja ta nxirrja sa më shpejt të mundesha. Dhe i falënderoj të gjithë, e gjithë Greqia më ka telefonuar, ministrat, të gjithë ata që panë numrin tim më kanë telefonuar”, është shprehur Ledian Goga.

Të ngjashme