Lifestyle
Shqipëria e Kosova pa kontrolle kufitare nga 1 maji deri më 30 shtator
1 Maj, 2026 | 4:23 pm

Qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës do të mund të lëvizin sërish pa kontrolle kufitare, pas rikthimit në fuqi të marrëveshjes mes dy qeverive, e cila hyn në zbatim duke nisur nga kjo e premte.
Kjo masë pritet të lehtësojë ndjeshëm qarkullimin mes dy vendeve, sidomos gjatë sezonit turistik, duke shmangur procedurat e zakonshme të kontrollit të dokumenteve në pikat kufitare. Udhëtarët do të kalojnë më shpejt, pa pasur nevojë për verifikime të detajuara të pasaportave apo kartave të identitetit.
Marrëveshja nuk është në fuqi gjatë gjithë vitit, por zbatohet në periudha të caktuara: nga 1 maji deri më 30 shtator dhe nga 1 nëntori deri në fund të shkurtit, që në total përkthehet në rreth 9 muaj lëvizje të lehtësuar gjatë vitit.
Autoritetet e të dy vendeve e konsiderojnë këtë një hap të rëndësishëm jo vetëm për zhvillimin e turizmit, por edhe për forcimin e lidhjeve ekonomike, tregtare dhe sociale mes dy shteteve.
Sipas të dhënave të Instituti i Statistikave, vetëm gjatë periudhës maj–shtator të vitit të kaluar janë regjistruar mbi 3 milionë hyrje nga Kosova drejt Shqipërisë, duke e konfirmuar atë si një nga burimet kryesore të turistëve.
Rikthimi i kësaj marrëveshjeje pritet të rrisë më tej lëvizjen, bashkëpunimin dhe afrimin mes qytetarëve në të dy anët e kufirit.















































