Kryefjala Logo

Sekuestrohen prona, makina, 53 ora luksoze dhe 32 bizhuteri diamanti, SPAK godet pasuritë e grupit kriminal shqiptar

1 Gusht, 2025 | 10:27 am

SPAK ka ndërmarrë një tjetër goditje ndaj krimit të organizuar, duke sekuestruar 25 pasuri të një grupi kriminal shqiptar, anëtarët e të cilit janë dënuar në Belgjikë për vjedhje në kuadër të një grupi të strukturuar.

Mes pasurive të bllokuara përfshihen prona, automjete luksoze, shuma të konsiderueshme parash, sende me vlerë dhe bizhuteri.

Sipas njoftimit zyrtar, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka ekzekutuar vendimin nr. 11, datë 16.06.2025 të Gjykatës së Posaçme, duke vendosur sekuestrimin e pasurive të shtetasit D.D. dhe të familjarëve të tij: D.S., B.A., A.H., L.V. dhe D.H.

Këta persona janë nën hetim pasuror sipas ligjit për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, pasi pasuritë e tyre dyshohet se janë përfituar nga veprimtaria kriminale. Hetimet kanë treguar se pasuritë nuk justifikohen nga burime të ligjshme.

Pasuritë e sekuestruara përfshijnë:
• 9 prona të paluajtshme
• 1 subjekt tregtar (“Guard Security”)
• 6 mjete motorike (3 automjete dhe 3 motorë)
• Shuma monetare:
• 77,360 €
• 2,055,000 lekë
• 1,150 £
• 52 orë luksoze
• Mbi 35 bizhuteri të ndryshme
• 32 monedha ari
• 15 pajisje elektronike, përfshirë 2 laptopë, 5 iPad dhe 8 kamera

SPAK thekson se shumë nga këto sende me vlerë ishin sekuestruar më herët gjatë kontrolleve të banesave, në kuadër të kërkesave për ndihmë juridike të autoriteteve belge.

Operacioni u realizua nga Policia Gjyqësore në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Agjencinë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.

Të ngjashme