Kryefjala Logo

Rrugët që do të bllokohen në Tiranë për ndeshjen Shqipëri-Andorra

24 Mars, 2025 | 9:45 am

Në kuadër të kualifikueseve të Botërorit 2026, sonte më 20:45, në Air Albania luhet ndeshja e futbollit, Shqipëri-Andorra. Policia e Shtetit, publikoi planin e masave që ndër të tjera konsistojnë në shoqërimin dhe sigurimin e futbollistëve të ekipit të Andorrës, nga aeroporti i Rinasit, në hotel, në stadium e në kthim për në Rinas, si dhe shoqërimin dhe sigurimin e futbollistëve të ekipit të Shqipërisë në stadium.

Për të garantuar sigurinë para, gjatë dhe pas zhvillimit të kësaj ndeshjeje ndërkombëtare është bashkëpunuar me të gjitha institucionet që kanë rol në mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, konkretisht me Federatën Shqiptare të Futbollit dhe UEFA-n me Gardën e Republikës, Policinë Bashkiake, Shërbimin Zjarrfikës, Shoqëritë private të sigurisë (stjuartët dhe personeli i sigurisë), spitalet, qendrat shëndetësore dhe ato të ndihmës së parë.
Rrugët që bllokohen dhe ku do të ketë kufizime

Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, si dhe për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve në qytetin e Tiranës, sot nga ora 15:00 deri në përfundim të ndeshjes, do ketë kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit, konkretisht:

*Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqezimi i Presidencës drejt sheshit “Nënë Tereza”;

* Rruga “Papa Gjon Pali II”;

* Rruga “Dervish Hima”, pranë ambasadës së SHBA-së;

* Rruga “Asim Zeneli”, pranë ambasadës së SHBA-së;

* ⁠rruga “Themistokli Germenji”;

– rruga “Gjergj Filipi”;

* Rruga “ Lekë Dukagjini”, nga ish-Garda e Republikës deri te stadiumi;

* ⁠rruga “Faik Konica”;

* ⁠rruga “Skerdilajd Llagami”

Në zbatim të planit të masave, punonjësit e Policisë së Shtetit do të ushtrojnë kontroll të imtësishëm ndaj tifozëve, para futjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes në stadium, të banderolave me përmbajtje raciste, të fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të celularëve, mjeteve/produkteve për përdorim kozmetik dhe sendeve të tjera të forta, të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve.

Të ngjashme