Kryefjala Logo

Rikthehen furnizimet me energji në shumicën e Spanjës e të Portugalisë!

29 Prill, 2025 | 2:47 pm

Furnizimi me energji elektrike sot u rikthye në shumicën e Spanjës dhe Portugalisë pasi një ndërprerje masive, dje goditi gadishullin Iberik, duke lënë pasagjerët të bllokuar në trena e qindra ashensorë. Miliona njerëz mbetën pa sinjal në telefonat e tyre dhe pa akses në internet.

Operatori REE njoftoi se energjia elektrike u rikthye në mbi 90% të territorit të Spanjës kontinentale. Dritat u ndezën sërish në Madrid e në kryeqytetin e Portugalisë, Lisbonë. Pothuajse asnjë cep i gadishullit, me gati 60 milion banorë, nuk i shpëtoi ndërprerjes. Por, ende nuk dihet shkaku, ndonëse në rrjetet sociale u përhapën zëra lidhur me një sulm kibernetik.

Kryeministri portugez, Luis Montenegro, tha se burimi i ndërprerjes “ka gjasa të jetë në Spanjë”. Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, deklaroi se “të gjitha shkaqet e mundshme” janë duke u analizuar dhe paralajmëroi publikun që “të mos spekulojë”, për shkak të rrezikut të “dezinformimit”.

Sanchez u shpreh se rreth 15 gigavat energji elektrike, më shumë se gjysma e konsumit në atë moment, “u zhdukën papritur” brenda rreth pesë sekondash. Kryeministri spanjoll nuk ishte në gjendje të thonte se kur do të rikthehej plotësisht energjia në Spanjë dhe paralajmëroi se disa punëtorë do të duhej të qëndronin sot në shtëpi. Kryeministri portugez Montenegro, deklaroi se energjia në Portugali do të rikthehej “brenda disa orëve”.

Rreth 6.2 milion nga 6.5 milion familje në Portugali u furnizuan sërish me energji gjatë natës, raportoi operatori kombëtar i rrjetit elektrik.

Ndërprerja ndikoi për pak kohë edhe në jugperëndim të Francës ndërsa në Marok pati pezullim të shërbimeve të disa operatorëve të internetit dhe sistemeve të regjistrimit në aeroporte. Kryeministri spanjoll Sanchez u shpreh se u shkaktuan “ndërprerje serioze” dhe “humbje milionëshe ekonomike në biznese, kompani e industri”.

Komisioni Europian ishte në kontakt me Spanjën dhe Portugalinë. Ndërkaq, presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, shkroi në X se “nuk ka tregues për ndonjë sulm kibernetik”.

Ndërprerjet energjetike shkaktuan anulimin e shumë fluturimeve nga Madridi, Barcelona dhe Lisbona, sipas organizatës europiane të trafikut ajror, Eurocontrol. Vitet e fundit, edhe shtetet e tjera në mbarë botën janë përballur me ndërprerje masive të rrymës.

Ndërprerje kishte në Tunizi në shtatorin e vitit 2023, në Sri Lanka në gusht 2020, si dhe në Argjentinë e Uruguaj në qershor 2019. Në korrik 2012, India u përball me një ndërprerje masive të furnizimit me energji.

Në Europë, nëntorin e vitit 2006, 10 milion persona mbetën pa rrymë për një orë në Francë, Gjermani, Belgjikë, Holandë, Itali dhe Spanjë. Ndërprerja ndodhi për shkak të problemeve me rrjetin në Gjermani.

Të ngjashme