Lajme
Qeveria vendosi për mbylljen e Tik Tok, Gjykata Kushtetuese e kalon vendimin në Parlament
4 Qershor, 2025 | 3:38 pm

Gjykata Kushtetuese ka vendosur ditën e sotme të dërgojë për gjykim vendimin e Këshillit të Ministrave lidhur me mbylljen e platformës Tik Tok në Shqipëri, por nuk ka pranuar pezullimin e menjëhershëm të këtij vendimi.
Kujtojmë që vendimi i qeverisë u ankimua në Gjykatën Kushtetuese nga Asociacioni për Gazetarët Shqiptarë, Rrjeti Ballkanik për Gazetarinë Investigative në Shqipëri dhe Qendra për Fuqizim Ligjor, të cilët kërkuan shfuqizim të këtij vendimi bazuar në mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe të informimit.
Gjykata Kushtetuese ka dërguar për shqyrtim në seancë plenare këtë vendim të qeverisë ndërsa ka ftuar si palë të interesuara Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike dhe Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.
Lidhur me këtë vendim, ka reaguar dhe Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë, ku përshëndetet vendimi i Gjykatës Kushtetuese duke e konsideruar si një hap të rëndësishëm për mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe të drejtës së informimit, të garantuara nga Kushtetuta e Shqipërisë dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Reagimi i plotë:
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) mirëpret vendimin e mbledhjes së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese për të kaluar në shqyrtim në seancë plenare publike kërkesën tonë të përbashkët me organizatat partnere për shpalljen si antikushtetues të vendimit nr. 151 të datës 06.03.2025 të Këshillit të Ministrave, që ndalon përdorimin e platformës “TikTok” në Shqipëri.
Ky është një hap i rëndësishëm në mbrojtje të lirisë së shprehjes dhe të drejtës së informimit, të garantuara nga Kushtetuta e Shqipërisë dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ne jemi të bindur se ndalimi i një platforme të komunikimit publik, pa transparencë dhe pa vlerësim proporcional të ndikimit të saj, përbën një precedent të rrezikshëm për liritë themelore në vend.
Megjithëse Gjykata ka vendosur të mos pranojë kërkesën për pezullimin e menjëhershëm të vendimit të qeverisë, shqyrtimi në themel i çështjes në seancë publike është tregues i seriozitetit dhe rëndësisë që kjo çështje përfaqëson për rendin kushtetues dhe të drejtat e qytetarëve.
Liria e shprehjes është themel i demokracisë, ajo nuk mbrohet duke mbyllur gojën e qytetarëve, por duke hapur më shumë dritare për informacion dhe debat
AGSH mbetet e angazhuar maksimalisht në mbrojtjen e hapësirës mediatike të lirë dhe të pavarur në Shqipëri.


















































