Kryefjala Logo

Pyetja e ditës: A ka ardhur vërtetë dhëndri i Donald Trump në Shqipëri, si “investitori strategjik” i Sazanit?

23 Qershor, 2025 | 11:25 am

Dhëndri i presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jared Kushner prej së dielës, 22 qershor, ndodhet në Shqipëri.

Burime jo zyrtare për Newsbomb bëjnë me dije se Kushner ka mbërritur në tokën shqiptare ditën e djeshme, ndërkohë që nuk dihet ende se ku ai po qëndron dhe sa ditë do të zgjasë ky udhëtim i dhëndrit të Trump në vendin tonë.

Kushner prej kohësh tanimë nuk e ka fshehur impresionin e tij ndaj zhvillimeve të fundit ekonomike dhe potencialin strategjik të Shqipërisë në rajon. *Lidhur me këtë vizitë të Kushner vlen të theksohet se deri më tani nuk ka një reagim zyrtar dhe se informacionet janë siguruar në rrugë jo zyrtare.

Kujtojmë se në dhjetor të vitit që lamë pas ai mori “dritën jeshile” nga Komiteti i Investimeve Strategjike për resortin turistik në Ishullin e Sazanit.

Në vendimin e Komiteti i Investimeve Strategjike thuhej se statusi është i kushtëzuar me realizimin e detyrave, planit të veprimit të parashikuar në këtë vendim, si dhe me finalizimin e marrëveshjes së bashkëpunimit midis palëve, të vlefshme miratuar me ligj të veçantë në Kuvend sipas parashikimeve ligjore të zbatueshme.

Ky status iu dha projektit të investimit “Resorti Turistik-Ishulli i Sazanit” për një periudhë 10-vjeçare, kohë e cila do t’i shërbejë projektit strategjik për përfitimin e procedurave me prioritet dhe brenda afateve të përshpejtuara, në përputhje me legjislacionin për investimet strategjike, si dhe plotësimin e detyrave dhe planit të veprimit të parashikuar në këtë vendim.

Në vendimin e publikuar evidentohej dhe forma e pjesëmarrjes së shtetit në këtë investim e cila do të realizohet nëpërmjet krijimit të një entiteti juridik të përbashkët të përbërë nga Korporata e Investimeve Shqiptare (AIC), Albanian Seaports Development Company sh.a (ASDC), në cilësinë e palës shtet, dhe subjektit investues Atlantic Incubation Partners LLC, shoqëri e të drejtës amerikane.

Komiteti i Investimeve Strategjike, me propozim të Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA),vlerësoi se ky projekt është në përputhje të ligjit të shtetit shqiptar. Vlera e investimit të projektit turistik “Resorti Turistik – Ishulli i Sazanit” i plotëson kriteret e parashikuara nga legjislacioni për investimet strategjike dhe parashikohet të jetë 1.4 miliardë euro dhe se përgjatë fazës së realizimit të investimit dhe operimit, numri i personave të punësuar parashikohet të jetë 1,000 persona.

Projekti i investimit synohet të zhvillohet në ishullin e Sazanit, Bashkia Vlorë, i cili ka një sipërfaqe totale prej 562 ha dhe me një sipërfaqe ndërtimi prej 45 ha dhe do të ndahet në Faza 1, Faza 2 dhe Faza 3, sipas masterplanit. Konkretisht parashikohet ndërtimi i strukturave akomoduese turistike të brandeve ndërkombëtare, njësive rezidenciale, zonave gastronomike brenda një sipërfaqeje prej 45 ha. Sipas vendimit të Komitetit të Investimeve Strategjike projekti i investimit synon gjithashtu në përmirësimin dhe riparimin e marinës aktuale duke përfshirë zgjerimin e hapësirës së dokimit, përmirësimin e vendndodhjes së molit të tragetit dhe ankorimin e trageteve të Ishullit të Sazanit.

Sakaq, në mars të vitit të kaluar, kur bëri publike idenë e tij për projektin e Sazanit, Kushner shpjegoi se ajo kishte lindur duke hulumtuar me miqtë e tij Richard Grenell, i cili shërbeu si ambasador i SHBA në Gjermani gjatë administratës Trump, dhe Asher Abehsera, partner i tij biznesi, dhe si ai u tërhoq nga një nga zonat turistike me rritje më të shpejtë në botë.

Teksa më pas ai publikoi dhe disa pamje se si do të duken resortet në Sazan.

“Të emocionuar për të ndarë disa imazhe të hershme të projektimit për projektet e zhvillimit që kemi krijuar për bregdetin shqiptar dhe qendrën e Beogradit”, shkruante Jared Kushner krah fotove.

Autoritetet shqiptare e mirëpritën në atë kohë këtë projekt të Kushner. Kryeministri Rama tha se kjo ishte një ofertë fantastike, e cila sipas tij do e kthente ishullin e Sazanit në “një xhevahir të kurorës së artë të turizmit në Mesdhe”.

Të ngjashme