Lajme
Papa Françesku në gjendje të rëndë, zbulohet sëmundja
19 Shkurt, 2025 | 8:43 am

Papa Françesku, i cili ndodhet i shtruar në spitalin Gemelli që nga e premtja e kaluar, vuan nga “pneumonia bilaterale” dhe gjendja e tij klinike “është e ndërlikuar”.
Buletini i spitalit Gemelli publikuar në pasditen e djeshme tregon se situata e Papa Françeskut, 88 vjeç, është më delikate se kurrë: “Analizat laboratorike, radiografia e kraharorit dhe gjendja klinike e Atit të Shenjtë vazhdojnë të paraqesin një tablo të ndërlikuar,” thuhet në deklaratë. Skaneri i kraharorit, të cilit Papa iu nënshtrua pasditen e djeshme, “ka treguar shfaqjen e një pneumonie bilaterale, e cila ka kërkuar një terapi shtesë”.
Papa kishte dy javë që nuk ndihej mirë dhe u shtrua në spital të premten për një “infeksion të rrugëve të frymëmarrjes”. Analizat e kryera deri të hënën kishin zbuluar një “infeksion polimikrobial”, pra praninë e baktereve dhe mikroorganizmave të ndryshëm në rrugët e frymëmarrjes. Tani shpjegohet se ky “infeksion polimikrobial” është “shfaqur në një situatë me bronkiektazi” — zgjerime të pakthyeshme të bronkeve për shkak të dëmtimit të mureve bronkiale — dhe “bronkit astmatiform”, i cili shkakton vështirësi në frymëmarrje dhe gulçim, simptoma që Papa i shfaqte edhe para shtrimit në spital. E gjithë kjo, thuhet në buletin, “ka kërkuar përdorimin e një terapie kortizonike dhe antibiotike, duke e bërë trajtimin më kompleks”.
Nga spitali Gemelli bëhet e ditur se, “pavarësisht gjithçkaje”, Papa “është me humor të mirë”. Dita ka kaluar si zakonisht; ai ka marrë eukaristinë dhe ka alternuar pushimin me lutjen dhe leximin e librave. Papa “falënderon për mbështetjen që ndien në këtë moment dhe kërkon, që të vazhdohet të lutet për të”.
Gjatë gjithë ditës, nga Selia e Shenjtë kanë ardhur mesazhe qetësuese, aq sa e lejonte situata. Papa ka kaluar “një natë të qetë”, të katërtën që nga shtrimi, ka ngrënë mëngjesin dhe ka lexuar gazetat. Madje, fakti që flitej jozyrtarisht për një shtrim relativisht të gjatë, dy ose tre javë, shihej si një shenjë e mirë: një ecuri e ndërlikuar, por e parashikueshme dhe e menaxhueshme.
















































