Lajme
Pajisja që mbron flokët nga rënia gjatë kimioterapisë, tashmë në Shqipëri per here te pare, ekskluzivisht në Spitalin Amerikan 3
29 Korrik, 2025 | 11:51 am

Për herë të parë në Shqipëri, në Spitalin Amerikan 3, është instaluar pajisja më e avancuar Paxman Scalp Cooling, e cila mbron flokët nga rënia, te pacientët onkologjikë gjatë trajtimit me kimioterapi.
Dr. Kleida Mati, mjeke onkologe pranë Spitalit Amerikan 3, thotë se kjo teknologji inovative u vjen në ndihmë këtyre pacientëve, duke shmangur një nga pasojat më të vështira psikologjikisht për ta: rënien e flokëve.
“Paxman Scalp Cooling është një pajisje që ndihmon në parandalimin e rënies së flokëve gjatë aplikimit të kimioterapisë. Është hera e parë që kjo pajisje vjen në Shqipëri për pacientët që trajtohen me kimioterapi,” tha Dr. Mati.
Instalimi i kësaj pajisjeje në Shqipëri nuk është vetëm një risi teknologjike, por edhe një qasje më humane ndaj pacientëve.
“Shumë rëndësi ka trajtimi i efekteve anësore që mbartin një ngarkesë emocionale të veçantë, siç është rënia e flokëve. Ndalimi i rënies së flokëve gjatë terapisë i ndihmon pacientët të jenë më të fokusuar te trajtimi dhe, në shumë raste, të vazhdojnë aktivitetet e tyre të përditshme pa ngarkesa të panevojshme emocionale,”, thekson mjekja onkologe.
Përdorimi i PAXMAN, sipas Dr. Kleida Mati, është sa i thjeshtë, aq edhe i vlefshëm për pacientët.
“Gjatë aplikimit të kimioterapisë, pacientët pajisen me një kapuç, i cili është i lidhur me një aparaturë që shkakton ftohje të njëtrajtshme të skalpit. Kjo sjell vazokonstriksion (ngushtim të enëve të gjakut) dhe ul penetrimin e preparateve të kimioterapisë në rrënjët e flokëve. Si rezultat, flokët dëmtohen më pak dhe rrjedhimisht, rënia e tyre reduktohet ndjeshëm,”, shpjegon Dr. Mati.
PAXMAN Pioneer ka kaluar të gjitha testet klinike ndërkombëtare dhe është i certifikuar si një nga pajisjet me efikasitetin më të lartë në parandalimin e rënies së flokëve gjatë kimioterapisë.


















































