Lajme
Nesër seanca/Erjon Veliaj kërkon të dalë nga burgu. Hap thesin para gjykatës. Sa para duhen për ta liruar?
8 Qershor, 2025 | 10:00 pm

Gjykata e Posaçme e Apelit do të shqyrtojë nesër kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj për ndryshimin e masës së sigurisë. I pari i kryeqytetit nuk do të qëndrojë më pas hekurave në qelitë e paraburgimit të Durrësit dhe do të kthehet “në shtëpi”.
Siç bëhet me dije, Erion Veliaj ka kërkuar përmes avokatëve mbrojtës masë më të butë sigurie, duke ofruar dhe vënë në dispozicion garanci pasurore. Mbetet për t’u parë nëse kërkesa e tij do të pranohet, pasi më herët ajo është rrëzuar.
Erion Veliaj u arrestua në zyrën e Bashkisë më 10 shkurt si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Ai akuzohet së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa, se ndërtuan një mekanizëm kompleks korruptiv për të përvetësuar fondet publike, të cilat transferoheshin në formë ryshfeti nga kompani kontraktore dhe OJF përfituese të fondeve të Bashkisë së Tiranës.
Më herët Engert Pëllumbi, gjyqtari i Shkallës së Parë mori parasysh kërkesën e prokurorëve të posaçëm Altin Dumani dhe Ols Dado, të cilët kërkuan lënien në qeli të Erion Veliaj, pasi sipas tyre vë në rrezik procesin, duke pasur mundësi që të prishë provat dhe të intimidojë dëshmitarët.
Gjyqtari dhe prokurorët i janë druajtur faktit që Veliaj mund të përdorë pushtetin e tij për të ndikuar mbi vartësit e tij, për të zhdukur apo deformuar përmbajtjen e dokumenteve të ndryshme të cilat mund të shpërbejnë si burime prove, si dhe për të ndikuar mbi persona të ndryshëm, vartës ose jo, për të mos dhënë deklarime me vlerë përpara organit procedues ose për të deformuar përmbajtjen e këtyre deklarimeve.
Ndër të tjera gjykata i është referuar edhe sjelljes së funksionarit të lartë gjatë kohës që ka qenë në ambientet e paraburgimit të Durrësit, i cili ka kryer edhe telefonata nga numri i brendshëm i burgut. Dhe që, sipas këqyrjeve të mëpasshme të SPAK, konsiderohet si rrezik i ndryshimit ose prishjes së provave.
Një tjetër arsye për të cilën gjyqtari Pëllumbi ka vendosur që të lërë në qeli kryebashkiakun është rreziku që ky i fundit mund të largohet nga vendi. Lidhur me dyshimet e arratisjes të të dyshuarit, gjyqtari i apelit Engert Pëllumbi shprehet se mundësitë financiare të të hetuarit vlerësohen në harmoni me lëvizjet e tij të shumta, konfirmuar edhe nga sistemi TIMS, dhe për shkak të veprave për të cilat ai po hetohet, gjykata del në përfundimin se ky rrezik është eminent dhe në nivele të larta.
Gjithashtu janë marrë parasysh edhe kërcënimet që kryebashkiaku Veliaj u ka bërë prokurorëve të posaçëm , konkretisht Ols Dados.


















































