Sport
Moment i pazakontë në fushë: Futbollisti shpëton pulëbardhën me CPR gjatë ndeshjes
24 Shkurt, 2026 | 1:46 am

Një video e pazakontë ka pushtuar rrjetin, duke treguar një moment që ka prekur mijëra njerëz: një futbollist që i shpëton jetën një pulëbardhe gjatë një ndeshjeje në Turqi.
Ngjarja ka ndodhur në finalen e Play-Off-eve të Ligës së Parë Amatore të Stambollit, një sfidë vendimtare për ngjitjen në kategori, ku u përballën ekipet Mevlanakapi Guzelhisar dhe Istanbul Yurdum Spor.
Gjithçka ndodhi në minutën e 22-të, kur portieri i Istanbul Yurdum Spor, Muhammet Uyanık, tentoi të largonte topin nga zona. Goditja e tij përfundoi duke prekur një pulëbardhë që po fluturonte mbi fushë, duke bërë që shpendi të binte në tokë pa lëvizje.
Vetë portieri ka rrëfyer se fillimisht nuk e kuptoi çfarë kishte ndodhur, por kur u afrua dhe pa pulëbardhën në tokë, u ndje i tronditur. “Ishte një krijesë e gjallë”, është shprehur ai, duke treguar shqetësimin për gjendjen e saj.
Në ato momente ndërhyri menjëherë kapiteni i ekipit, Gani Chatan, i cili pa hezitim nisi t’i japë ndihmën e parë. Duke kuptuar se shpendi nuk po merrte frymë normalisht, ai aplikoi CPR (ringjallje kardiopulmonare), duke bërë kompresime në gjoks.
Pas rreth dy minutash përpjekje, pulëbardha filloi të jepte shenja jete, duke lëvizur këmbët dhe sytë. Më pas, lojtarët i dhanë ujë dhe e larguan nga fusha, ku iu besua stafit mjekësor të ndeshjes për kujdes të mëtejshëm.
Pamjet e këtij momenti janë bërë virale, duke marrë reagime të shumta pozitive dhe duke u cilësuar si një gjest human që tregon se sporti nuk është vetëm garë, por edhe ndjeshmëri dhe respekt për jetën.



















































