Showbiz
Lotina dhe Mozzik në pritje të një djali, çifti ndan lajmin e ëmbël me ndjekësit
3 Korrik, 2026 | 1:05 pm

Lotina Haziri dhe Mozzik kanë ndarë me ndjekësit një nga momentet më të bukura të jetës së tyre. Çifti ka zbuluar se janë në pritje të fëmijës së tyre të parë së bashku dhe se do të bëhen prindër të një djali. Lajmi u bë publik përmes një videoje të postuar në rrjetet sociale, ku dyshja shfaqet në një ambient natyror mes drerëve, duke ndarë momente të veçanta.
Në një prej skenave, Lotina shfaq barkun e rrumbullakosur të shtatzënisë, ndërsa Mozzik qëndron pranë saj. Në fund të videos zbulohet edhe gjinia e bebit, duke konfirmuar se çifti pret një djalë.
Krahas pamjeve, Lotina ka shkruar me humor: “E fsheha djalin tim nga bota për gjashtë muaj, ndërsa isha live në televizion çdo ditë. Cila është superfuqia juaj?”, duke lënë të kuptohet se shtatzëninë e ka mbajtur larg vëmendjes së publikut për muaj me radhë. Reperi Mozzik reagoi menjëherë në komentet e postimit me disa emoji zemrash, duke shprehur emocionin e tij.

Mozzik, emri i vërtetë i të cilit është Gramoz Aliu, dhe Lotina Haziri, vajza e politikanit kosovar Lutfi Haziri, e bënë publike lidhjen e tyre gjatë vitit 2024 dhe që prej atëherë kanë ndarë herë pas here momente nga jeta në çift. Për Mozzikun, ky do të jetë fëmija i dytë, pasi ai është baba i Hanës nga martesa e mëparshme me reperen Loredana.











































