Kryefjala Logo

Nga adrenalina te prangat, propozimi për martesë në majë të Empire State Building përfundon me arrestim

2 Korrik, 2026 | 10:36 am

Një çift i njohur për sfidat ekstreme në lartësi u arrestua të mërkurën në Nju Jork, pasi u ngjit në mënyrë të paligjshme në antenën e ndërtesës ikonike Empire State Building.

Angela Nikolau dhe Ivan Kuznetsov u shoqëruan nga policia e Nju Jorkut (NYPD), ndërsa përballen me një sërë akuzash, mes tyre vjedhje me thyerje, rrezikim të pakujdesshëm, shkelje të pronës private dhe dëmtim kriminal.

Pavarësisht ndërhyrjes së autoriteteve, çifti arriti të realizonte qëllimin e tij në majën e ndërtesës. Ata shpalosën një banderolë me mesazh pro paqes, ku ishte shkruar një thënie e politikanit britanik të shekullit të 19-të, William Gladstone: “Kur fuqia e dashurisë të mundë dashurinë për fuqi, bota do të njohë paqen”. Gjatë zbritjes, Kuznetsov u ul në gjunjë, nxori unazën dhe i propozoi për martesë Nikolaut, e cila pranoi me një “Po”. Të gjithë momentin e filmuan me kamerat e tyre dhe më pas e publikuan në rrjetet sociale.

Ndërhyrja e policisë dhe hetimet

Njësia e Shërbimit të Urgjencës së NYPD-së (ESU) reagoi menjëherë. Dy efektivë të pajisur me pajisje sigurie u ngjitën në strukturën e antenës dhe i ndaluan në gjysmë të rrugës gjatë zbritjes, duke i vënë në pranga pak para orës 13:00. Policia ka publikuar edhe pamjet nga kamerat trupore të oficerëve, ku dokumentohet momenti i arrestimit. Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se çifti hyri në zonën e ndaluar përmes një dritareje mirëmbajtjeje të kyçur në katin e 102-të, pasi kishte vëzhguar më herët lëvizjet e stafit.

Ngjarja shkaktoi shqetësim mes turistëve që ndodheshin në Empire State Building. Dëshmitarët thanë se panë çiftin të kalonte në zonat e kufizuara duke u sjellë sikur ishin pjesë e stafit, ndërsa për arsye sigurie një pjesë e vizitorëve u evakuuan përkohësisht brenda ndërtesës. Për shkak të operacionit policor, shumë turistë që ndodheshin në kuvertën e vëzhgimit në katin e 86-të nuk u lejuan të ngjiteshin në katet më të larta.

Të ngjashme