Lajme
Kujdes rregulla të reja për udhëtimet në Zonën Schengen: Çfarë duhet të dini?
31 Korrik, 2025 | 5:32 pm

Zonat e lëvizjes së lirë në Evropë po hyjnë në një fazë të re rregullash dhe teknologjish, të cilat do të ndryshojnë mënyrën e udhëtimit dhe të kontrollit të kufijve. Nga data 12 tetor nis zbatimi i një sistemi të ri digjital për hyrje/daljet, duke u shtrirë gradualisht për gjashtë muaj në të gjitha pikat kufitare të vendeve Schengen.
Çfarë po ndryshon?
-Digjitalizimi i kontrolleve
– Sistemi i ri i hyrje/daljes (EES) do të zëvendësojë vulosjen manuale të pasaportave.
-Regjistrim biometrik
-Gjatë hyrjes së parë, udhëtarët nga vende të treta do të japin të dhëna biometrike (foto dhe gjurmë gishtash), të cilat do të ruhen për tre vjet.
-Kontroll automatik i qëndrimit
-Sistemi do të monitorojë në mënyrë elektronike kohën e lejuar të qëndrimit (90 ditë brenda 180 ditëve).
Kush ndikohet?
Ky sistem do të zbatohet për shtetasit e vendeve jo anëtare të BE-së, përfshirë:
Mbretërinë e Bashkuar, SHBA-në, dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, si Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi dhe Serbia, të cilat gëzojnë aktualisht regjim pa viza.
Qytetarët dhe banorët e BE-së ose ata me viza afatgjata nuk preken nga ky ndryshim.
Çfarë nënkupton për shqiptarët?
Nga tetori 2025, qytetarë shqiptarë që udhëtojnë pa vizë në zonën Schengen do të regjistrohen automatikisht në sistemin EES.
Nga fundi i vitit 2026, do të jetë i detyrueshëm edhe autorizimi i udhëtimit ETIAS, një leje elektronike për hyrje në vendet Schengen.
Pse po bëhen këto ndryshime?
Komisioni Evropian thekson se këto masa synojnë:
Rritjen e sigurisë kufitare.
Identifikimin më të saktë të atyre që qëndrojnë më gjatë se sa lejohet dhe thjeshtimin e procesit të kontrollit për udhëtarët.
Sistemi i ri do të thotë më pak vulosje dhe më shumë teknologji, por udhëtarët do të duhet të planifikojnë më mirë udhëtimet e tyre dhe të jenë të përgatitur për procedura të reja në kufi.


















































