Kryefjala Logo

Klodiana Lala jep detaje nga burgu i Salianjit: Ishte në qeli me drejtorët e dosjes 5D, njëri prej tyre i gatuante

8 Korrik, 2025 | 10:15 pm

Gazetarja Klodiana Lala ka ndarë sot disa prapaskena interesante nga qëndrimi në burg i ish-deputetit demokrat Ervin Salianji, i cili u lirua me kusht pasi përfundoi 2/3 e dënimit të tij. E ftuar në emisionin “Log.” në News 24, nën moderimin e Endri Xhafos, Lala tregoi se Salianji ndante qelinë në burgun e Fierit me disa nga ish-drejtorët e dosjes së njohur si “5D”.

Sipas gazetares, një prej tyre kishte pasion gatimin dhe shpesh gatuante edhe për Salianjin. “Kur hymë në burgun e Fierit më 11 maj për të ndjekur nga afër procesin e votimit, mësuam se një nga drejtorët ishte i apasionuar pas gatimit dhe i përgatiste ushqim edhe zotit Salianji”, u shpreh ajo.

Gjatë debatit në studio me avokatin e Salianjit, Redi Ramaj, Lala theksoi gjithashtu se dosja “Babale” – që çoi në dënimin e ish-deputetit – nuk është hetuar siç duhet. “Nëse kjo dosje do të ishte hetuar seriozisht, Salianji nuk do të kishte hyrë fare në burg. Në vend që ministri i Brendshëm i kohës të jepte dorëheqjen, policia luante rolin e taksistit për Albert Veliun”, deklaroi ajo.

Avokati Ramaj u shpreh se, pavarësisht kushteve të qelisë, regjimi mbetet regjim dhe se për Salianjin kjo ishte një padrejtësi e pastër.

Në fund, Lala theksoi se ende nuk është zbardhur plotësisht roli i disa figurave kyçe në këtë çështje, përfshirë dhe një person të dyshuar nga SHISH, duke shtuar se kjo histori mbetet një plagë e hapur për drejtësinë shqiptare.

Të ngjashme