Kryefjala Logo

Ilir Meta zgjedh Sidorela Gjonin për të shpjeguar mesazhin e numrit 7-të

12 Maj, 2026 | 4:01 pm

Ilir Meta ka reaguar publikisht pas shumë diskutimeve që shkaktoi gjesti i tij me duar gjatë seancës gjyqësore, ku u pa duke formuar numrin 7 me gishta brenda kafazit të xhamit në sallën e gjyqit.

Përmes një postimi të gjatë në rrjetet sociale, Meta zgjodhi t’i përgjigjet gazetares Sidorela Gjoni, duke e falenderuar për interesimin ndaj procesit të tij gjyqësor dhe duke sqaruar kuptimin e simbolit që bëri gjatë seancës.

Sipas ish-presidentit, gjesti nuk kishte asnjë mesazh të fshehtë, por ishte një ironi ndaj kushteve në sallën e gjyqit.

“Lidhur me simbolin me numrin 7, avokati nuk pati mundësi ta dëgjonte sepse unë ju drejtova deputetëve të pranishëm se standardet e kafazit, nuk ishin me 5 yje por me 7 yje”, shkruan Meta.

Ai ironizoi edhe kushtet në sallë, duke pretenduar se gjatë seancës kishte rrjedhur ujë nga tavani për shkak të kondicionerit.

“I vetmi problem që ndodhi dje kishte të bënte me kondicionerin sepse filloi të rridhte ujë nga tavani, sikur të binte shi”, vijon ai.

Në reagimin e tij, Meta falenderon gjithashtu Partinë Demokratike dhe Sali Berishën për mbështetjen publike, ndërsa paralajmëron edhe një libër për zhvillimet politike dhe Reformën në Drejtësi gjatë 10 viteve të fundit.

Ai shton se mbetet i hapur për një intervistë live nga ambientet e IEVP “Jordan Misja”, duke theksuar se sipas tij është “i vetmi i burgosur politik” në rajon që nuk lejohet të intervistohet drejtpërdrejt nga gazetarët.

Të ngjashme