Lajme
Greva e doganierëve grekë, pezullohet përkohësisht lëvizja e mjeteve në pikën kufitare të Kakavijës
28 Shkurt, 2025 | 10:28 am

Dogana greke e Kakavijës është bllokuar që prej orës 07:00 të mëngjesit të kësaj të premteje për shkak të grevës të paralajmëruar të doganierëve. Kjo pikë kufitare do të qëndrojë e mbyllur deri në orën 23:00, në të dyja anët.
Siç është paralajmëruar ditën e djeshme kalimi për të gjitha llojet e automjeteve do të jetë i ndaluar, me përjashtim të ambulancave dhe makinave funerale. Policia Kufitare e Janinës ka sqaruar se gjatë kësaj periudhe do të lejohen vetëm këmbësorët pa bagazhe dhe rastet emergjente shëndetësore (ambulancat).
Theksojmë se Greqia është në grevë dhe protestë sot, në dy vjetorin e tragjedisë hekurudhore me 57 viktima. Sindikatat e sektorit privat dhe publik, qendrat e punës, dhe organe të tjera kanë njoftuar se do të marrin pjesë në mobilizimin mbarëkombëtar, me kërkesë të përbashkët për drejtësi.
















































