Lajme
Erion Veliaj zyrtarisht i pandehur nga SPAK. Një “çërçaf” me akuza që ju komunikuan në qelinë në Durrës
23 Korrik, 2025 | 4:15 pm

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, është shpallur zyrtarisht i pandehur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Mesditën e së mërkurës, oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë mbërritur në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Durrës, ku Veliaj ndodhet i paraburgosur që prej 10 shkurtit.
Ata i kanë komunikuar zyrtarisht akuzat, në një takim që ka zgjatur rreth 15 minuta.
Veliaj u arrestua në ambientet e Bashkisë së Tiranës, i dyshuar për përfshirje në veprat penale të “korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim në 9 raste të ndryshme, si dhe “pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”.
Sipas hetimeve, Veliaj akuzohet se në bashkëpunim me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, ka ngritur një skemë të ndërlikuar korrupsioni për të përvetësuar fonde publike. Këto shuma dyshohet se janë marrë në formë ryshfeti nga kompani kontraktore dhe organizata jofitimprurëse që përfitonin nga buxheti i Bashkisë së Tiranës.


















































