Lajme
Elbasani nën “pushtetin” e flakëve, nis ndërhyrja nga ajri për shuarjen e zjarrit!
3 Korrik, 2025 | 6:23 pm

Zjarri në vendgrumbullimin e mbetjeve në Elbasan vijon për të tretën ditë radhazi, ndërsa përpjekjet për shuarjen e flakëve tashmë kanë nisur edhe nga ajri. Pas orëve të tëra përpjekjesh, autoritetet kanë kanë vendosur të ndërhyet nga ajri me helikopter për shuarjen e plotë të zjarrit.
Ministria e Mbrojtjes njofton se po vijon puna intensive pwr izolimin e vatrws sw zjarrit në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane të Bashkisë Elbasan.
Po ashtu, bën me dije se situata mbetet dinamike dhe nën vëzhgim të vazhdueshëm, ndërsa në terren po operohet me mjete të shtuara dhe më shumë se 100 forca të angazhuara nga Bashkia Elbasan dhe bashkitë fqinje sikundër dhe nga Forcat e Armatosura.
Njoftimi:
Prej më shumë se 72 orësh, vijon puna intensive për izolimin e vatrës së zjarrit në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane të Bashkisë Elbasan. Situata mbetet dinamike dhe nën vëzhgim të vazhdueshëm nga strukturat e emergjencave vendore dhe qendrore.
Në terren po operohet me mjete të shtuara dhe më shumë se 100 forca të angazhuara nga Bashkia Elbasan dhe bashkitë fqinje sikundër dhe nga Forcat e Armatosura.
Ndërhyrja është përqendruar në izolimin dhe shuarjen e zjarrit me 10 mjete zjarrfikëse dhe 20 mjete të specializuara.
Aktualisht mjetet e rënda vetshkarkuese dhe forcat xheniere po punojnë njëkohësisht për mbulimin e vatrës, ndërkohë që pompa thithëse me kapacitet të lartë mundësojnë hedhjen e ujit direkt në vatrën aktive.
Gjithashtu, operacioni mbështetet nga ndërhyrja ajrore, ndërsa në terren ndodhet ekipi i ekspertëve të Forcave të Armatosura, të cilët po kryejnë matje të vazhdueshme të nivelit të ndotjes dhe rrezikshmërisë mjedisore.
Autoritetet vendore dhe qendrore mbeten të angazhuara për të garantuar sigurinë e komunitetit dhe për të minimizuar ndikimin në mjedis. Publiku do të vijojë të informohet rregullisht mbi zhvillimet më të fundit.


















































