Kryefjala Logo

Deklarata tronditëse e organizatorit: “Ka grupe serbe dhe greke të infiltruara në protestën për Zvërnecin. Shpejt do t’i nxjerrim emrat”

21 Qershor, 2026 | 9:25 pm

Në nisje të protestës së radhës kundër projektit në Zvërnec, një nga organizatorët e lëvizjes qytetare, Arben Kola, ka bërë deklarata të forta duke pretenduar se në tubimet që po zhvillohen prej 22 ditësh janë infiltruar grupe që synojnë të devijojnë kauzën e protestës.

Sipas Kolës, këto grupe po përpiqen t’i japin protestës ngjyrime fetare ose kombëtare, me qëllim dëmtimin e mesazhit të saj qytetar.

Ai paralajmëroi se në ditët në vijim do të publikohen emrat dhe identitetet e personave që, sipas tij, qëndrojnë pas këtyre përpjekjeve, ndërsa u bëri thirrje institucioneve të sigurisë të reagojnë përpara se situata të përshkallëzohet.

“Mes nesh ka grupe të infiltruara që përpiqen të fshihen pas protestës. Shumë shpejt do t’i bëjmë publikë me emra dhe fytyra. Ne i njohim grupet greke që veprojnë kundër interesave të Shqipërisë, ashtu siç njohim edhe grupet serbe. Po ashtu dimë edhe për linja të caktuara fetare që tentojnë t’i japin protestës një narrativë tjetër. Kjo nuk do të funksionojë, sepse kjo është protesta e qytetarëve shqiptarë”, u shpreh Kola.

Lidhur me incidentin e raportuar me flamurin e Izraelit, ai theksoi se lëvizja qytetare nuk mbështet asnjë akt agresiv ndaj vendeve të tjera apo simboleve të tyre kombëtare.

“Nuk jemi kundër asnjë shteti dhe nuk mbështesim dhunimin e flamujve, qofshin ata të Izraelit, Serbisë, Greqisë apo çdo vendi tjetër. Distancohemi plotësisht nga veprime të tilla dhe do të mbajmë edhe një qëndrim zyrtar për këtë çështje”, deklaroi ai.

Të ngjashme