Lajme
Arrestohet në Korçë i riu që pagoi me para false në një pikë karburanti
19 Gusht, 2025 | 12:11 pm

Policia e Korçës ka vënë në pranga një 25-vjeçar, pasi u kap duke përdorur një kartëmonedhë të falsifikuar për të paguar furnizimin e automjetit me karburant.
I arrestuari është shtetasi Kledion Bregu, i cili akuzohet për veprat penale “Falsifikimi i monedhave” dhe “Falsifikimi i vulave, stampave apo i formularëve”.
Hetimi nisi pas kallëzimit të bërë nga punonjësi i një pike karburanti, i cili dyshoi se kartëmonedha e marrë nga klienti ishte false. Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare identifikuan autorin dhe organizuan arrestimin e tij.
Gjatë kontrollit fizik dhe atij në banesë, policia sekuestroi disa kartëmonedha të dyshuara të falsifikuara, si dhe 4 pasaporta të tij, të cilat 25-vjeçari i kishte deklaruar më parë si të humbura.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme ligjore.



















































