Politike
Arlind Qorri dominon protestën, në rrjetet sociale sfidon Edi Ramën dhe Sali Berishën
3 Qershor, 2026 | 4:08 pm

Protestat e zhvilluara ditët e fundit në Tiranë kundër projektit për ndërtimin në Zvërnec kanë sjellë jo vetëm debat publik, por edhe lëvizje të forta në rrjetet sociale. Ndërsa vazhdon diskutimi nëse këto protesta janë tërësisht qytetare apo të mbështetura nga faktorë politikë, një emër që po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendje është ai i Arlind Qorrit.
Kreu i “Lëvizjes Bashkë” ka qenë i pranishëm në të gjitha ditët e protestës, së bashku me aktivistë dhe mbështetës të tij. Kjo prani e vazhdueshme duket se po reflektohet edhe në performancën e tij në rrjetet sociale, ku sipas të dhënave të publikuara së fundmi nga kompania “Terra Marketing”, Qorri ka shënuar një rritje të konsiderueshme të angazhimit online.
Sipas analistit dhe ekspertit të mediave sociale, Blerim Gjeladini, zhvillimet e fundit kanë ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e profilit publik të Qorrit në rrjet.
“Protesta e fundit duket se ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në rrjetet sociale. Sipas matjeve të fundit, Arlind Qorri renditet në krye për angazhim, reagime dhe rritje të ndërveprimit, duke fituar përballjet si me Sali Berishën ashtu edhe me Edi Ramën. Protesta e ka kthyer atë në një nga figurat më të komentuara të momentit në mediat sociale”, shkruan Gjeladini.
Të dhënat e analizuara për periudhën 26 maj – 2 qershor tregojnë se Qorri ka dominuar në disa tregues të rëndësishëm online, duke regjistruar më shumë reagime, pëlqime dhe komente krahasuar me liderët e dy forcave kryesore politike në vend, Edi Ramën dhe Sali Berishën.
Kjo situatë ka nxitur edhe më shumë diskutime rreth rolit të tij në protestat e fundit. Ndërsa nga qarqe të ndryshme politike janë hedhur pretendime se protestat mund të jenë organizuar apo mbështetur nga aktorë të caktuar politikë, organizatorët dhe pjesëmarrësit kanë këmbëngulur se këto protesta janë lëvizje qytetare të lindura nga kundërshtimi ndaj projektit në Zvërnec.
Megjithatë, nëse protestat kanë prodhuar një “fitues” në rrjetet sociale, të dhënat tregojnë se ai është pikërisht Arlind Qorri. Prania e tij e vazhdueshme në terren dhe angazhimi i mbështetësve kanë sjellë një rritje të ndjeshme të ndërveprimit online, duke e vendosur përballë Edi Ramës dhe Sali Berishës në “betejën” për vëmendjen e publikut në rrjet.




















































