Lajme
Akuzat për abuzim me një vajzë 15-vjeçare: Gjykata merr vendim për Gjikon
16 Qershor, 2025 | 5:19 pm

Ishte mars i vitit 2022, kur shumë media raportuan se ndaj këngëtarit Gjiko ishte ngritur një aktakuzë për abuzim ndaj një të miture 15-vjeçare. Nga padia e pretenduar në atë kohë, reperi dyshohej se kishte mashtruar vajzën me premtime për karrierë muzikore dhe më pas kishte përdorur substanca narkotike dhe kishte kryer marrëdhënie intime me të.
Lajmi u përhap shpejt në rrjete sociale dhe media, duke shkaktuar reagime të forta në publik dhe duke vënë në dritë të keqe figurën publike të reperit. Menjëherë pas publikimit të pretendimeve, Gjiko i mohoi kategorikisht të gjitha akuzat. Reperi Asdren Gjikolli – i njohur për publikun me emrin artistik Gjiko – së fundi është shpallur i pafajshëm nga Gjykata Themelore e Prishtinës në lidhje me akuzën për abuzim.
Vendimi u mor pas një procesi gjyqësor që përfshiu shqyrtimin e provave të paraqitura nga prokuroria dhe mbrojtja. Sipas burimeve të portalit Telegrafi, trupi gjykues ka arritur në përfundimin se provat ishin të pamjaftueshme për të lidhur artistin me akuzën e ngritur ndaj tij, duke çuar në lirimin e tij nga të gjitha pikat e aktakuzës.Në një deklaratë të publikuar në rrjete sociale në atë kohë, Gjiko deklaroi:
“Të nderuar familjarë dhe miq,
Gjatë këtyre ditëve, unë dhe familja ime jemi duke u përballur me një të pavërtetë të sajuar. Unë nuk kam dhunuar askënd, e lëre me një 15-vjeçare. Nuk kam mashtruar dhe as nuk kam premtuar karrierë, e as nuk i kam dhënë një të miture substanca narkotike. Familja ime është shumë në rregull sepse e dinë që kjo gjë është e sajuar.”
Ai gjithashtu bëri të ditur se kishte ndërmarrë hapa ligjorë kundër shpifjeve, duke se besonte në drejtësinë e institucioneve.


















































