Kryefjala Logo

Agjentët e SPAK kontrollojnë shtëpinë dhe bizneset e Ergys Agasit, çfarë po ndodh me këshilltarin e Edi Ramës

19 Qershor, 2025 | 6:11 pm

Shtëpia dhe zyrat e bizneseve të Ergys Agasit janë bastisur këtë të enjte nga dy skuadra të Byrosë Kombëtare të Hetimit, shoqëruar për mbështetje dhe nga njësitë e Forcës Operacionale. Ora News raporton se Gjykata e Posaçme ka lëshuar mandat për këto bastisje.

Megjithatë, informacionet janë të vakta dhe nuk dihet se për çfarë rasti bëhet fjalë dhe në cilën dosje është përfshirë Ergys Agasi, një biznesmen kontravers që ka “notuar” mes ujërave të trazuara të politikës, biznesit dhe mafias, sipas akuzave të opozitës.

Gazetari Elton Qyno thotë se bëhet fjalë për kontrollin e 4 vendeve, ku agjentët e BKH-së të urdhëruar nga prokurorët e SPAK, kanë shkuar në banesat në Durrës dhe Tiranë, si dhe zyrat e disa bizneseve që zotërohen nga Ergys Agasi.

Ai është një ndër njerëzit e promovuar ndër vite nga qeveria socialiste në pozicione të rëndësishme, deri dy vite më parë ka qenë këshilltar i kryeministrit Edi Rama dhe I deleguar nga ky I fundit si drejtues politik I Qarkut të Durrësit për Partinë Socialiste, shkruan newsbomb.al.

Agjentët e BKH-së bastisin shtëpinë dhe bizneset e Ergys
Biznesmeni Ergys Agasi
Mes posteve të rëndësishme që Ergys Agasi është dhe ai I kreut të Inspektoriatit të Mjedisit, vite më parë. Një ndër elementët që e ngritën atë në majat e pushtetit dhe në kupolën e Partisë Socialiste në Durrës është dhe fakti se ai është djali ish-deputetit socialist Bardhyl Agasi.

Neësbomb.al raporton se Ergys Agasi është angazhuar edhe me ish-LSI e Ilir Metës, por vitet e fundit ai është përfshirë në “merkaton” e socialistëve.

Nuk dihet nëse kontrollet ndaj tij lidhen me dosjen e cigareve kontrabandë, ku pak javë më parë u firmosën me dhjetëra urdhërarreste, sepse Agasi zotëron një rrjet tabakinosh; me denoncimet e opozitës për ndërhyrje në procesin zgjedhor të 11 Majit; apo dosjen e “Troplinëve” të Durrësit.

Burime jo zyrtare kanë konfirmuar për gazetarin Elton Qyno, se në këtë çështje ka pasur dhe urdhër-arreste, por nuk dihet me saktësi nëse agjentët e Byrosë Kombëtare kanë arrestuar Ergys Agasin, apo persona të tjerë.

Të ngjashme