Lajme
Adriana Kalaja takon Diasporën Shqiptare në Selanik: “Ju jeni patriotët që do ta shpëtoni Shqipërinë”
27 Prill, 2025 | 9:17 pm

Në një takim të ngrohtë dhe emocionues me komunitetin shqiptar në Selanik, kandidatja për deputete e Partisë Demokratike, Adriana Kalaja, përcolli mesazhe mirënjohjeje, bashkimi dhe angazhimi patriotik.
“Ndjehem e lumtur dhe shumë e emocionuar që kam nderin të flas sot përpara jush. Secili prej jush përfaqëson një pjesë të Shqipërisë,” tha Kalaja në fjalën e saj, duke vlerësuar integrimin dhe sukseset që diaspora shqiptare ka arritur në Greqi.
Kalaja shprehu mirënjohjen e saj ndaj popullit dhe shtetit grek për mikpritjen dhe mbështetjen ndaj shqiptarëve, por theksoi edhe rëndësinë e ruajtjes së lidhjeve të ngushta me vendlindjen. “Ju ikët, por Shqipërinë e morët me vete. Ju ndanë nga familjet dhe vendi juaj, por kurrë nuk e harruat Shqipërinë. Sot, më shumë se kurrë, Shqipëria ka nevojë për ju,” theksoi ajo.
Duke iu drejtuar diasporës si forcë kyçe në zgjedhjet e ardhshme, Kalaja i ftoi bashkatdhetarët të marrin pjesë aktive në ndryshimin politik në Shqipëri. “Ju jeni patriotët që nuk e tradhtuat kurrë Shqipërinë, ju jeni ata që mund dhe duhet ta shpëtoni vendin,” deklaroi ajo me bindje.
Ajo theksoi rëndësinë e votës së diasporës si mjet për të kthyer dinjitetin dhe për ta bërë “Shqipërinë sërish madhështore”, duke përmendur programin gjithëpërfshirës të Partisë Demokratike dhe Aleancës për Shqipërinë Madhështore.
Duke përmendur emrin e liderit historik Sali Berisha, Kalaja theksoi se mbështetja ndaj tij nuk është personale, por një mbështetje ndaj historisë së suksesit dhe rezistencës që ai përfaqëson.
“Bashkë kaluam shumë në këto vite të vështira, por ia dolëm sepse besuam te e drejta dhe e vërteta. Bashkë qëndruam, luftuam dhe fituam,” përfundoi Kalaja, duke theksuar se fitorja do të nisë nga diaspora më 11 maj.
Në fund, mes duartrokitjeve entuziaste, Kalaja mbylli takimin me urimin “Zoti i bekoftë shqiptarët, kudo ndodhen. Zoti i bekoftë Shqipërinë! Fitore, fitore, fitore!”





















































