Kryefjala Logo

Adriana Kalaja takim me gratë qëndrestare: “Sa të kem frymë, do luftoj për vlerësimin tuaj”

22 Prill, 2025 | 5:41 pm

Kandidatja për deputete e Partisë Demokratike në Qarkun Tiranë, Adriana Kalaja, zhvilloi një takim emocional me gratë qëndrestare që për më shumë se një vit kanë qenë simbol i rezistencës demokratike.

Bëhet fjalë për gratë që për 333 ditë qëndruan në Rrugën e Shpresës poshtë pallatit të liderit historik të PD-së, Sali Berisha, dhe për 44 javë të tëra morën pjesë në protestat e përjavshme para Bashkisë së Tiranës, duke kërkuar drejtësi, llogaridhënie dhe rikthimin e votës së lirë.

Në këtë takim, Kalaja deklaroi se nuk jep premtime të zbrazëta, por një zotim të vetëm:

“Unë nuk mund t’i jap premtime për gjëra që s’i kam në dorë, por vetëm një gjë do keni parasysh: sa të kem frymë, do luftoj që të gjithë ata që kanë kontribuar për Partinë Demokratike dhe për demokracinë, të marrin vlerësimin që meritojnë.”

Kalaja theksoi se zëri i grave qëndrestare nuk do të shuhet, dhe se kauzat e tyre për liri, drejtësi dhe vlera do të jenë udhërrëfyes në rrugëtimin e saj politik.

Gjatë fjalës së saj, Kalaja prezantoi edhe disa nga prioritetet e Partisë Demokratike:
• Ndërtimi i dy spitaleve rajonale për të lehtësuar ngarkesën në QSUT dhe për t’i sjellë shërbimet mjekësore më afër qytetarëve;
• Rritja e pagave për mjekët, për të garantuar dinjitetin dhe profesionalizmin në shërbim të pacientëve;
• Dyfishimi i buxhetit për shëndetësinë dhe arsimin, si bazë për zhvillim të qëndrueshëm dhe për rikthimin e dinjitetit në këto dy sektorë kyç.

“Nëse mjeku merr një pagë dinjitoze, nuk sheh dy mijë lekëshin apo pesë mijë lekëshin. Është turp për të dhe për atë që nuk ka,” – tha Kalaja, duke theksuar se investimi në mjekë e mësues është investim në të ardhmen e vendit.

Ky takim vjen në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 11 majit, ku Adriana Kalaja garon si kandidate e listës së hapur të Partisë Demokratike, me një fushatë të fokusuar në vlera, integritet dhe kauza qytetare.

Të ngjashme