Lajme
Momente paniku në fluturim! Thyhet dritarja e avionit pas defektit në motor, kthehet me urgjencë në Selanik
11 Korrik, 2026 | 4:54 pm

Momente të frikshme kanë përjetuar pasagjerët e një avioni, që po udhëtonte nga Selaniku drejt Memmingenit në Gjermani, pasi një problem teknik në motor detyroi ekuipazhin të kryente një ulje emergjente.
Sipas mediave greke, vetëm pak minuta pas ngritjes u dëgjua një shpërthim i fortë. Fragmentet e motorit goditën një nga dritaret e avionit, duke e dëmtuar atë dhe duke shkaktuar panik mes pasagjerëve.
Një 61-vjeçar, i cili ishte ulur pranë dritares së dëmtuar, rrezikoi seriozisht për shkak të presionit të ajrit. Sipas dëshmive, ai u mbajt nga pasagjerët e tjerë, duke shmangur një tragjedi. Burri pësoi lëndime në qafë, djegie të lehta dhe u përfshi nga gjendja e shokut.
Menjëherë pas incidentit u aktivizuan maskat e oksigjenit, ndërsa pilotët vendosën të riktheheshin në aeroportin e Selanikut. Avioni u ul në mënyrë të sigurt dhe katër pasagjerë u transportuan në spital për kontrolle mjekësore.
Autoritetet greke kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e defektit në motor, ndërsa Ryanair organizoi një tjetër avion për të dërguar pasagjerët në destinacionin e tyre.



















































