Showbiz
Xhensila Myrtezaj thyen heshtjen: Nuk jam subjekt i asnjë hetimi nga SPAK-u
11 Korrik, 2026 | 8:14 am

Këngëtarja e njohur Xhensila Myrtezaj ka reaguar publikisht ndaj lajmeve që kanë qarkulluar së fundmi në media dhe rrjetet sociale, duke mohuar kategorikisht pretendimet se është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
“Portalet dhe faqet që kanë publikuar ose shpërndarë lajme të pavërteta duke përfshirë emrin tim kanë keqinformuar opinionin publik”, shkruan Myrtezaj në reagimin e saj.
Këngëtarja sqaroi se nuk është subjekt i asnjë hetimi dhe se çdo pretendim në të kundërt cenon figurën dhe reputacionin e saj.
“Sqaroj qartë se nuk jam subjekt i asnjë hetimi nga SPAK. Çdo pretendim në të kundërt është i rremë, i pabazuar dhe cenon figurën, dinjitetin dhe reputacionin tim”, theksoi ajo.
Më tej, Xhensila paralajmëroi se do të ndjekë rrugën ligjore ndaj çdo personi apo mediaje që shpërndan informacione të pavërteta në lidhje me të.
“Çdo shpifje apo informacion i pavërtetë që dëmton reputacionin tim do të ndiqet me të gjitha mjetet ligjore”, deklaroi artistja.
Prej disa kohësh, në media dhe në rrjetet sociale kanë qarkulluar aludime se këngëtarja mund të ishte pjesë e një hetimi nga SPAK-u. Megjithatë, me reagimin e saj të fundit, Myrtezaj ka hedhur poshtë këto pretendime, duke mohuar çdo lidhje me një procedurë hetimore.














































