Kryefjala Logo

U urrye nga gjithë shqiptarët, pasi dhunoi të moshuarën në azil. Gjykata cakton 2 vite e 3 muaj burg për infermieren Aurona Pelaj

6 Korrik, 2026 | 5:30 pm

Infermierja Aurona Pelaj, e cila u bë e njohur në vitin 2022 pas publikimit të një videoje tronditëse ku shfaqej duke ushtruar dhunë ndaj të moshuarës Minire Nura në një shtëpi të të moshuarve, është dënuar me 2 vite e 3 muaj burg.

Sot, Gjykata Themelore e Pejës shpalli aktgjykimin përfundimtar ndaj Pelajt, duke i caktuar fillimisht dënimin me 2 vite burgim. Në këtë dënim do të përfshihet edhe periudha që ajo ka kaluar në paraburgim, nga 2 deri më 24 nëntor 2022, ndërsa pjesa e mbetur do të ekzekutohet pasi vendimi të marrë formë të prerë.

Përveç dënimit me burg, gjykata vendosi t’i ndalojë Aurona Pelajt ushtrimin e profesionit të infermieres për një periudhë prej 5 vitesh.

Ndërkohë, infermierja Altina Rexhepi, e cila shfaqej në të njëjtën video duke mbajtur duart e të moshuarës gjatë momentit të dhunës, është shpallur e pafajshme dhe është liruar nga akuza.

Kujtojmë se Minire Nura, e moshuara që u dhunua në shtëpinë e të moshuarve “Orenda”, ndërroi jetë më 31 maj 2024. Lajmi u konfirmua në atë kohë nga avokati i saj, i cili deklaroi vetëm se ajo kishte ndërruar jetë, pa dhënë detaje mbi shkaqet e vdekjes.

Të ngjashme