Art
Kinematografia shqiptare në zi! Ndërron jetë aktori, Birçe Hasko
23 Maj, 2026 | 7:54 pm

Kinematografia shqiptare është në zi pas ndarjes nga jeta të aktorit të mirënjohur Birçe Hasko në moshën 84-vjeçare.
I ishte një prej emrave më të dashur të skenës dhe ekranit shqiptar dhe u dallua për interpretimet e tij autentike dhe karakteret popullore që solli me mjeshtëri në teatër dhe film.
Birçe Hasko lindi më 15 mars të vitit 1942 në Dukat të Vlorës. Fillimisht punoi si mësues dhe drejtor shkolle në disa zona të jugut të vendit, përpara se të ndiqte studimet për aktrim në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë
Pas diplomimit, ai iu përkushtua jo vetëm aktrimit, por edhe pedagogjisë, duke dhënë mësim në Akademinë e Arteve dhe duke shërbyer më vonë edhe si dekan i Fakultetit të Artit Skenik.
Në teatër, Hasko interpretoi role të shumta që mbetën gjatë në kujtesën e publikut, ndërsa në kinematografi spikati për aftësinë për të ndërtuar karaktere të gjalla, plot humor dhe origjinalitet.
Ai realizoi 32 role filmike, mes tyre në filmat “Njeriu me top”, Përrallë nga e kaluara, “Koncert në vitin 1936”, “Radiostacioni” dhe “Shkëlqim i përkohshëm”, rol për të cilin u vlerësua edhe me çmim në Festivalin e Filmit.
Loja e tij artistike karakterizohej nga humori spontan, mimika e veçantë dhe përdorimi autentik i elementëve të dialektit të Labërisë, duke krijuar një stil unik interpretimi që e bëri menjëherë të dallueshëm për publikun shqiptar.
Përveç kontributit në aktrim, ai përgatiti breza të tërë studentësh në Akademinë e Arteve dhe vuri në skenë dhjetëra vepra dramatike.
Për kontributin e tij të gjatë në artin shqiptar, Birçe Hasko u nderua me titullin “Artist i Merituar”, më pas me titullin “Profesor” dhe “Mjeshtër i Madh”. Me ndarjen e tij nga jeta, arti shqiptar humbet një prej figurave më përfaqësuese dhe më të dashura të tij.



















































