Art
Fituesi i Sanremos uron Festivalin e Pranverës në RTSH, Sal Da Vinci flet shqip
19 Maj, 2026 | 8:27 pm

Këngëtari i njohur italian dhe fituesi i “Sanremo”-s, Sal Da Vinci, ka surprizuar publikun shqiptar me një mesazh të veçantë për Festivalin e Pranverës në RTSH.
Në një video-përshëndetje të publikuar së fundmi, artisti italian jo vetëm që ka uruar suksesin e festivalit, por ka folur edhe në gjuhën shqipe, duke emocionuar ndjekësit dhe dashamirësit e muzikës.
“Një urim për Festivalin e Pranverës. Shumë përshëndetje nga miku juaj Sal Da Vinci. Shpresoj që së shpejti të vij t’ju përqafoj dhe të vizitoj tokën tuaj. Ju uroj shumë fat. Rroftë muzika, rroftë Shqipëria!”, shprehet ai në mesazhin e tij.
Përshëndetja e artistit italian është pritur mjaft mirë në rrjetet sociale, ku shumë komentues kanë vlerësuar afeksionin e tij për Shqipërinë dhe publikun shqiptar.
Festivali i Pranverës pritet të mbahet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit më 6 dhe 7 qershor, në dy net muzikore që premtojnë surpriza, artistë të njohur dhe emocione për publikun.



















































