Lifestyle
Hyn në një dhomë dhe harron pse? Ekspertët japin përgjigjen
29 Prill, 2026 | 8:47 am

Fenomeni i njohur si Doorway Effect po merr gjithnjë e më shumë vëmendje nga psikologët, pasi shpjegon një situatë shumë të zakonshme në jetën e përditshme: momentin kur hyn në një dhomë dhe papritur harron pse shkove aty.
Sipas ekspertëve, kjo nuk është domosdoshmërisht një shenjë e dobësimit të kujtesës, por lidhet me mënyrën se si funksionon truri ynë. Kur kalojmë nga një ambient në tjetrin, truri e percepton këtë ndryshim si një “ndarje” apo fillim të ri, duke lënë pas informacionin që lidhej me hapësirën e mëparshme.
Si pasojë, mendimi apo qëllimi që kishim para se të hynim në dhomë mund të zhduket përkohësisht. Ky proces është i natyrshëm dhe ndodh më shpesh sesa mendohet.
Psikologia Sanam Hafeez shpjegon se personat që e përjetojnë shpesh këtë fenomen zakonisht kanë një mendje shumë aktive. Ata priren të mendojnë disa gjëra njëkohësisht, të planifikojnë vazhdimisht dhe të kalojnë shpejt nga një ide në tjetrën. Në këtë kuadër, edhe multitasking-u, stresi dhe mbingarkesa mendore luajnë një rol të rëndësishëm.
Interesant është fakti se ky fenomen shpesh lidhet edhe me kreativitetin. Njerëzit krijues kanë tendencë të shpërndajnë vëmendjen në disa drejtime, çka i bën më të prirur të harrojnë detaje të vogla, si arsyeja pse hynë në një dhomë.
Megjithatë, specialistët theksojnë se në shumicën e rasteve nuk ka vend për shqetësim. Vetëm nëse harresa bëhet e shpeshtë, përkeqësohet me kalimin e kohës ose shoqërohet me konfuzion të vazhdueshëm, atëherë rekomandohet një konsultë me një profesionist të shëndetit mendor.















































