Sport
Uzuni surprizon me dhurata fëmijët me aftësi ndryshe në Berat
21 Dhjetor, 2025 | 10:24 am

Myrto Uzuni, sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë, ka dhënë një shembull frymëzues humanizmi duke surprizuar fëmijët me aftësi ndryshe dhe ata pa kujdes prindëror në Bashkinë Dimal, pranë Beratit. Në prag të festave të fundvitit, futbollisti u ka sjellë dhurata dhe buzëqeshje fëmijëve, duke i bërë ata të ndihen të veçantë dhe të përfshirë.
Momenti prekës është ndarë edhe nga vëllai i tij, Asi Uzuni, i cili ka vënë në pah vlerat njerëzore të Myrtos përmes një mesazhi domethënës:
“Sot, vëllai im tregoi se madhështia e vërtetë nuk matet vetëm me gola apo ndeshje të fituara, por me zemrën. Ky është një gjest plot dashuri, mbështetje dhe shpresë për fëmijët me aftësi ndryshe dhe për ata pa kujdes prindëror në Bashkinë Dimal.”
Gesti i Myrto Uzunit është pritur me reagime shumë pozitive në rrjetet sociale, duke e kthyer këtë nismë në një mesazh të fortë solidariteti dhe empatie, përtej fushës së blertë.



















































