Kryefjala Logo

Vdekja e dy motrave në Sarandë, Erion Braçe: Ishte vrasje, jo aksident! Të ashpërsohet Kodi Rrugor dhe Penal

26 Gusht, 2025 | 5:47 pm

Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar ashpër pas aksidentit tragjik ku humbën jetën dy motrat nga Delvina, duke e cilësuar ngjarjen jo si një “aksident rrugor”, por si një “vrasje me dashje”.

Në një postim prekës, Braçe shpreh dhimbjen për humbjen e vajzave të reja dhe kërkon ndryshime urgjente në Kodin Rrugor dhe Kodin Penal, pasi shoferi që shkaktoi përplasjen rezultoi i dehur dhe me shpejtësi të lartë.

“Dy vajza të reja u përcollën dje në banesën e fundit. Dhimbja e prindërve, e familjarëve e miqve është e paimagjinueshme. Nuk ka ngushëllim. Prej djeshëm dëgjoj: aksident, aksident rrugor. Jo! Nuk është aksident! Të dehesh, të marrësh makinën, të ecësh përtej normave, të hysh në parakalim të gabuar e të shkosh përballë në korsinë e tjetrit nuk është aksident – është vrasje me pasojë vdekjen e dy vajzave dhe plagosjen e një të trete”, shkruan Braçe.

Ai nënvizon se ligjet aktuale nuk e parashikojnë një veprim të tillë si vrasje me dashje, por si aksident me pasojë vdekjen, çka sipas tij është e papranueshme. Deputeti shton se ligji duhet të ndryshojë menjëherë për të ashpërsuar ndëshkimin në raste të tilla.

Braçe ndalet edhe te fakti se autori i aksidentit dyshohet të jetë punonjës i Ministrisë së Brendshme:

“Nëse kjo është e vërtetë, atëherë duhet të hartohet një ligj i ri që i ngarkon punonjësit e shtetit me përgjegjësi publike më të madhe se çdo qytetar i zakonshëm. Nuk mund të kemi më raste kur punonjësit e shtetit përdorin armën e shërbimit për krime, shkelin ligjin apo abuzojnë me pushtetin e zyrës.”

Ngjarja tragjike

Aksidenti ndodhi mbrëmjen e së dielës në aksin Sarandë–Delvinë. 23-vjeçari Kevin Nora, duke drejtuar një automjet tip “Audi” në gjendje të dehur dhe me shpejtësi ekstreme, kreu një parakalim të gabuar duke u përplasur kokë më kokë me një mjet tip “Lancia” ku udhëtonin motrat Rozina dhe Elvisa Dhimaku së bashku me shoqen e tyre, Antonela Zhupa.

Përplasja rezultoi fatale për dy motrat që humbën jetën në vendngjarje, ndërsa shoqja e tyre mbeti e plagosur, jashtë rrezikut për jetën.

Në familjen Dhimaku është hapur dera e mortit, ndërsa lajmi ka tronditur thellë opinionin publik.

Të ngjashme