Kryefjala Logo

Kompania Meta hedh poshtë pretendimet e Mira Muratit që gjoja ka refuzuar ofertën miliarda dollarëshe

2 Gusht, 2025 | 3:37 pm

Startup-i i inteligjencës artificiale Thinking Machines Lab, i themeluar nga shqiptarja Mira Murati, u raportua se kishte refuzuar një ofertë miliarda dollarëshe nga CEO i Meta-s, Mark Zuckerberg. Sipas mediave të huaja, Meta synonte të rekrutonte një pjesë të ekipit të Muratit për t’u bashkuar me laboratorin e saj të ri Superintelligence, duke ofruar paketa kompensimi që shkonin nga 200 milionë deri në 1 miliard dollarë për individ.

Murati, në një deklaratë për Wired, konfirmoi se asnjë anëtar i ekipit të saj nuk kishte pranuar ofertën. Sipas saj, refuzimi unanim dëshmon për besimin që ekipi ka tek lidershipi dhe vizioni i saj për të ardhmen e startup-it, duke zgjedhur pavarësinë dhe potencialin afatgjatë mbi ofertat e majme të një gjiganti teknologjik.

Megjithatë, Meta hodhi poshtë këto pretendime, duke sfiduar versionin e ngjarjes të paraqitur nga Murati. Andy Stone, drejtori i komunikimit i kompanisë, deklaroi se detajet e dhëna nga Murati nuk janë të sakta:

“Ne bëmë oferta vetëm për një numër të vogël njerëzish në TML dhe, ndërsa pati një ofertë të konsiderueshme, detajet e paraqitura janë të pasakta. Në fund të fundit, kjo ngre pyetjen se kush po e tjetërson këtë rrëfim dhe pse,” – u shpreh Stone.

Kjo përplasje e hapur e deklaratave ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare, duke e kthyer këtë episod në një shembull të tensioneve mes gjigantëve të teknologjisë dhe startup-eve inovative.

Murati, ish-drejtoreshë teknologjike e OpenAI, po konsiderohet si një nga figurat më me ndikim në garën globale për zhvillimin e inteligjencës artificiale. Thinking Machines Lab po shihet nga shumë analistë si një rival serioz në fushën e IA-së, ndërsa refuzimi i ofertës së Meta-s – pavarësisht polemikave mbi versionin e ngjarjes – tregon për dinamikat e reja të pushtetit në industrinë e teknologjisë.

Të ngjashme