Kryefjala Logo

A keni marrë drogë ? Edi Rama nuk jep një përgjigje të qartë

31 Korrik, 2025 | 5:30 pm

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për gazetën gjermane “Die Zeit”, ku ka folur për fëmijërinë e tij, rrugëtimin politik dhe sfidat e qeverisjes. Por, intervista nuk është ndalur vetëm te këto tema.

I pyetur nëse ka konsumuar ndonjëherë drogë, Rama nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë me “po” ose “jo”. Megjithatë, ai e mohoi në mënyrë të tërthortë, duke theksuar se gjatë karrierës së tij është përballur me akuza nga më të pabesueshmet.

“Ne po luftojmë krimin e organizuar si kurrë më parë, dhe kjo njihet nga të gjitha autoritetet përkatëse. Megjithatë, akuzat vazhdojnë të vijnë, duke marrë forma të ndryshme. Opozita në Parlament më ka akuzuar për gjithçka: që jam homoseksual, biseksual – gjë që nuk jam – përdhunues dhe madje trafikant droge. ‘Trafikant droge’ është ndoshta akuza më romantike,” u shpreh ai me ironi.

I pyetur sërish: A keni marrë ndonjëherë drogë?, Rama u përgjigj:
“Edhe sikur të ishte e vërtetë, kjo nuk do të ishte gjëja më e keqe që më kanë thënë. Sipas tyre, unë paskam ushtruar dhunë ndaj nënës dhe gruas sime, dhe djali im supozohet të jetë djali i babait tim. Këto marrëzi janë thirrur nëpër tubime, janë shkruar në gazeta dhe janë përhapur në internet – të gjitha gënjeshtra. Pas tyre kanë ardhur gjithmonë humbje zgjedhore për ata që i shpikën këto monstruozitete. Unë jam mësuar me to, por familja ime ka vuajtur shumë.”

Të ngjashme