Kryefjala Logo

Masakroi me thikë të dashurën dhe i dogji shtëpinë/ I arrestuari Ilirjan Selmani, përdorues droge, viktima me depresion

29 Korrik, 2025 | 2:00 pm

Prokuroria e Korçës ka lëshuar urdhër arresti për Ilirjan Selmanin, i dyshuari kryesor për vrasjen e 52-vjeçares Kozeta Teço, e cila u gjet sot pa shenja jete në banesën e saj të përfshirë nga flakët.

Hetimet paraprake zbulojnë se Selmani kishte një lidhje intime prej vitesh me viktimën dhe dyshohet se gjatë kësaj kohe i kishte marrë asaj rreth 20 milionë lekë të vjetra. Fillimisht, i ndaluari mohoi përfshirjen, duke deklaruar se kishte 10 ditë që nuk komunikonte me Kozetën. Por, pasi u ballafaqua me pamjet e kamerave të sigurisë të një biznesi pranë banesës, ai pranoi se në mëngjes kishte qenë në shtëpinë e saj.

Trupi i Kozeta Teços u gjet me plagë të shumta nga mjet prerës në qafë dhe krahë, të cilat dyshohet se i shkaktuan vdekjen. Për të humbur gjurmët, Selmani i vuri flakën banesës me qëllim që ngjarja të dukej aksidentale nga asfiksia. Në koshin pranë shtëpisë, hetuesit gjetën peshqirë dhe rroba me njolla gjaku, të cilat mendohet se i përkisnin autorit.

Pas krimit, Selmani është parë duke u takuar me disa të njohur, të cilëve u ka thënë se kishte vendosur të ndahej nga Kozeta, duke pretenduar se ajo kishte nisur një lidhje tjetër – një deklaratë që, sipas hetuesve, ishte përpjekje për të ndërtuar alibi.

Sipas burimeve, mëngjesin e sotëm mes çiftit ka pasur një debat të ashpër, i cili dyshohet se ka përfunduar me vrasjen e 52-vjeçares. Autoritetet bëjnë me dije se Selmani është i njohur si përdorues lëndësh narkotike dhe shpesh ka shfaqur shenja ankthi dhe depresioni. Edhe viktima, në periudhën e fundit, vuante nga probleme të shëndetit mendor.

Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Të ngjashme