Kryefjala Logo

Abigeila Voshtina “i bie qemanesë” në SPAK: “Firmosa kontrata të paligjshme nën presionin e Ajola Xoxës”

28 Korrik, 2025 | 6:17 pm

Ish-drejtoresha e Teatrit të Operas dhe Baletit, Abigeila Voshtina, ka pranuar përpara hetuesve të SPAK se ka nënshkruar kontrata të paligjshme, të cilat – sipas saj – ishin të diktuara dhe të kontrolluara nga Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryetarit të arrestuar të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Dëshmia e saj lidhet me mënyrën se si janë përdorur fondet për “Festivalin Ndërkombëtar të Dancit”.

Voshtina shpjegon se pas dy kontratave të firmosura me kompaninë “Rametal” të biznesmenit Elman Abule qëndronte Ajola Xoxa dhe qendra “Harabel”. “Kontratat u hartuan sipas kërkesës së Ajolës. Ajo zgjodhi kompaninë, përcaktoi shumën dhe zhvilloi të gjitha negociatat financiare e teknike, duke përdorur një ekonomiste të ‘Harabel’. Unë nuk pata asnjë kontakt me përfaqësuesit e ‘Rametal’,” – deklaroi ish-drejtoresha.

Ajo theksoi se dokumentet ishin në kundërshtim me ligjin, por firmën e vuri për shkak të presionit që Ajola Xoxa ushtronte, duke shfrytëzuar autoritetin e bashkëshortit të saj, në atë kohë kreu i Bashkisë së Tiranës. Sipas saj, aktiviteti që në letra figuronte si organizuar nga Teatri Kombëtar, në të vërtetë kontrollohej plotësisht nga Xoxa.

Në dëshminë e saj, Voshtina kujton edhe një takim në Ministrinë e Kulturës, ku ishin të pranishëm Ajola Xoxa, koreografi Tim Newman dhe sekretarja e përgjithshme Zerina Bruci. Gjatë mbledhjes u diskutua buxheti për shfaqjet “Sonoma” dhe “Gravity”, ku Ajola kërkoi që 240 mijë euro të menaxhoheshin nga “Harabel” – një kërkesë që Voshtina e kundërshtoi, duke insistuar se fondet publike duhet të administrohen vetëm nga institucione shtetërore.

Tensionet mes tyre vazhduan edhe në situata të tjera. “Kisha rezervuar disa vende për të ftuarit protokollarë, por Ajola i shpërndau biletat pa dijeninë e stafit të teatrit,” – shtoi ajo.

Edhe ish-drejtoresha e auditimit në TOB ka ngritur dyshime për shkelje të rënda ligjore, duke i konfirmuar hetuesve të SPAK se ka debatuar me Voshtinën për procedura që, sipas saj, binin ndesh me rregullat fiskale dhe menaxhimin korrekt të fondeve publike.

Të ngjashme