Kryefjala Logo

Fotografia në Vatikan e komentuar më shumë se ceremonia funebre. Takimi mes Trumpit dhe Zelenskyt para funeralit të Papa Françeskut!

26 Prill, 2025 | 8:10 pm

Presidenti amerikan, Donald Trump dhe ai ukrainas Volodymyr Zelensky patën një takim shumë të shkurtër përpara se t’i drejtoheshin sheshit Shën Pjetër për të marrë pjesë në funeralin e Papa Françeskut. Zëdhënësi i presidencës ukrainase, konfirmoi atë që është raportuar nga disa media.

Të dy ranë dakord të takohen edhe pas funeralit.

Në Bazilikën e Shën Pjetrit, presidentët e Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës u takuan edhe me presidentin francez Emmanuel Macron e kryeministrin britanik Keir Starmer. Takimi zgjati rreth dhjetë minuta.

Pasi i bëri homazhe Papës, në vend që të dilte në oborrin e kishës, Trump u izolua me liderin ukrainas dhe pas një takimi të shkurtër kokë më kokë, dolën njëri pas tjetrit në shesh, të shoqëruar nga bashkëshortet Melania e Olena.

Shtëpia e Bardhë foli për takim shumë produktiv:

Trump dhe Zelensky patën një takim shumë produktiv në prag të funeralit të Papës.

New York Times: Zelensky, gati t’i japë një propozim Trump-it

“Ukraina ka zhvilluar një propozim ndaj planit negociator të SHBA-ve, të cilin Kievi dhe aleatët e tij europianë e konsiderojnë shumë të favorshëm për Rusinë. Zelensky mund t’ia dorëzojë dokumentin homologut Trump që në funeralin e Papa Françeskut”. Kështu shkruan “New York Times”.

Propozimi përfshin hapje për çështje që më parë konsideroheshin të panegociueshme. Plani nuk kërkon kufizime në madhësinë e ushtrisë ukrainase, krijimin e një kontigjenti europian të sigurisë, të mbështetur nga SHBA-të e të vendosur në tokën ukrainase, si dhe përdorimin e aseteve të ngrira ruse për të financuar rindërtimin. Këto tre pika duken të vështira për t’u pranuar nga Kremlini.

Në të njëjtën kohë, Kievi shmang përsëritjen e kërkesave të tij për rimëkëmbjen e plotë të territoreve të pushtuara ose anëtarësimin e menjëhershëm në NATO. Për Aleancën Veri-Atlantike, në propozim thuhet thjesht se “anëtarësimi varet nga konsensusi i anëtarëve”, pa kërkuar garanci të menjëhershme.

Në takimet e fundit në Londër dhe Paris, negociatorët amerikanë përsëritën se pozicioni aktual i administratës Trump është kundër anëtarësimit të Ukrainës në NATO, por shtuan se ky qëndrim nuk do t’i detyrojë presidentët e ardhshëm të SHBA-ve.

Pas mbërritjes në kryeqytetin italian, Trump deklaroi se Rusia dhe Ukraina janë “shumë afër një marrëveshjeje” dhe kërkoi një takim të drejtpërdrejtë midis palëve për të “përfunduar” negociatat. Në një fjalim jashtëzakonisht optimist, Zelensky konfirmoi:

Takime shumë të rëndësishme mund të zhvillohen në ditët në vijim, që synojnë të sjellin heshtje në Ukrainë.

Të ngjashme