Lajme
Ramadan Nishori, burri i parë që dëshmon publikisht dhunën seksuale të jetuar gjatë luftës në Kosovë
14 Prill, 2025 | 8:11 pm

Ramadan Nishori ka rrëfyer publikisht përjetimin e dhunimit seksual gjatë kohës së luftës në shtator të vitit 1998, si 21-vjeçar, në stacionin policor në Drenas.
“Unë sot dua që njerëzit të më shohin si një njeri që kam kaluar nëpër shumë gjëra, jam munduar shumë. Por nuk jam thyer kurrë. Nuk dua që njerëzit të më shohin me keqardhje për dhunën që kam përjetuar, por me respekt si një njeri që ka luftuar shumë për të mbijetuar”, ka deklaruar ai, në Ditën e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale të luftës. Ngjarjen e kujtoi kështu: “Kanë ardhur dy policë me uniforma dhe më kanë futur në një banjo, dhe aty ndodhi më e keqja që mund t’i ndodhë një njeriu. Sepse atë kurrë nuk e kisha menduar se do të më ndodhte mua. Dhe njëri më dhunoi, ndërsa, derisa po përgatitej i dyti për dhunë, nga bërtimat e mia, një shqiptar që ishte aty hyri brenda dhe më nxori prej aty”, ka rrëfyer ai. Ramadan Nishori ka theksuar se dhunuesit e kanë kërcënuar, duke i thënë që askush nuk duhet ta dijë se çfarë i kishte ndodhur.
Ai është burgosur dhe është liruar në mars të vitit 2001 me ndihmën e Kryqit të Kuq.
Më pas shtoi :
“Jetoja me prindërit dhe vëllezërit në fshat. Pasi u martova i thash vetes: do ta lë të kaluarën dhe ta lë prapa. Kjo ishte e pamundur… Isha në frikë se mos po e vëren dikush rastin çka më ka ndodhë. Thosha me vete unë jam burrë dhe për këtë që e kam përjetu unë nuk duhet me ditë kërkush. Se thojsha: m’nënçmojnë, m’bullizojnë… M’vike e bërtitë, me kajtë …”
Ramadan Nishori ka treguar se në vitin 2005 për herë të parë ishte afruar te zyrat e organizatës Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), por nuk kishte pasur forcë që të hynte brenda.
“Kam shku dhjetëra herë por kurrqysh nuk e mora guximin me hy brenda. Një natë e pashë në një intervistë, ishte Vasfije Krasniqi e cila është heroinë e gjallë … E kam marrë e i kam shkruar në Messenger menjëherë. Faleminderit shumë prej saj, ma ka kthyer përgjigje menjëherë. Të nesërmen pa menduar shumë kam ardhur, u binda me ardhë”, ka treguar ai.
Ramadan Nishori ka treguar rrëfimin e tij në organizimin e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës , duke u bërë kështu burri i parë që del në mënyrë publike dhe tregon ngjarjen e rëndë që ia kanë shkaktuar forcat serbe.
“Kur themi ‘zëri im është forca ime’ ne po e njohim dhe vlerësojmë guximin për të folur. Poashtu po i japim zë të gjithë atyre që nuk kanë mundur të flasin. Ky nuk është një hap veç i një të mbijetuari, por hap përpara për gjithë shoqërinë tonë drejt dhembshurisë, drejtësisë dhe daljes së të vërtetës në pah”, ka thënë Feride Rushiti, drejtoreshë e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës.


















































