Kryefjala Logo

Aksidenti tragjik, lihet në burg shoferi i betonieres

22 Mars, 2025 | 3:42 pm

Aleksandër Krrashi, shoferi i betonieres që u përplas nga pas nga një makinë me katër të rinj në Fushë Prezë, duke shkaktuar vdekjen e tyre, është lënë në burg pa afat pas paraqitjes së tij sot në gjykatë.

Në dëshminë e tij, Krrashi tregoi se pas përplasjes doli menjëherë nga mjeti dhe tentoi të ndihmonte, por makina shpërtheu në flakë. Më pas, ai shkoi në shtëpi dhe u dorëzua në polici.

Gjykata vendosi gjithashtu arrest me burg për kushëririn e tij, Valentin Krrashi, i cili akuzohet se e ndihmoi të largohej nga vendi i ngjarjes, ndërsa menaxheri i firmës, Danjel Koxha, u la në detyrim paraqitje.

Prokuroria akuzon Aleksandër Krrashin për “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”, “Drejtim të automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Largim nga vendi i aksidentit”, pasi ai drejtonte betonieren pa leje përkatëse dhe nuk kishte ndezur bllokazhin kur ndaloi në karrexhatë. Betonieria gjithashtu rezultoi pa dokumentacionin e nevojshëm.

Nga aksidenti tragjik humbën jetën katër të rinj: Enejdi Laçi, Erildi Laçi (20 vjeç), Enrikejd Kurti (24 vjeç) dhe Andi Laçi (22 vjeç).

Të ngjashme