Lajme
Në Shqipëri Edi Rama e shpall “Investitor Strategjik” ndërsa në Kosovë Ekrem Lluka, zhvat kontraktorët dhe është nën hetim special.
24 Shkurt, 2025 | 11:00 pm

Dosja e një mashtrimi e grabitjeje ndaj një kontraktori, dhe fakti që në muajin dhjetor 2024, biznesmeni kosovar Ekrem Lluka, është marrë i pandehur nga Prokuroria Speciale e Prishtinës, për mashtrim e evazion fiskal, pastrim parash të krimit e korrupsionit, grabitje pasurie shtetërore e private dhe falsifikime dokumentesh…
Biznesmeni kontravers Ekrem Lluka nga Kosova, pronari i kompanisë “Dukagjini Invest”, më 27 shtator 2011, lidhi kontratë për ndërtimin e objektit qendër bisnesi e banimi të quajtur “Wrc Prishtina” në Prishtinë, me vlerë totale 45 milionë Euro dhe dorëzim me “çelësa në dorë”.
Deri në vitin 2016, Ekrem Lluka kishte rënë dakort me ndërtuesin, të shtonin 2 anekse në kontratën bazë për punime shtesë, kundrejt pagesave suplementare sipas volumit të punimeve,
marrëveshje që u firmos para noterit, me të gjitha detyrimet e dakordësuara, shkruan Pamfleti.
Por biznesmeni Ekrem Lluka, nuk i qëndroi korrekt kontratës për pagesat e punimeve të qendrës “Wrc Prishtina” me vlerë suplementare 864 mijë Euro, të cilat nuk pranoi t’i paguante dhe çështja mes palëve, përfundoi në procese përmbarimore e gjykatë.
Shërbimi Përmbarimor dhe Shkalla e Parë e Gjykatës në Prishtinë, e detyruan kompaninë debitore “Dukagjini Invest” të Ekrem Llukës, të paguante detyrimin 834 mijë Euro brenda 7 ditëve.
Por mashtruesi Ekrem Lluka bëri ankim, duke quajtur pa vlerë kontratën shtesë dhe të paligjshme faturat e detyrimit financiar; madje gjeti terren korruptiv në shkallën e dytë të Gjykatës- Prishtinës, që e ktheu për ri-gjykim në shkallën e parë me të njëjtin trup gjyqësor.
Me marifetet e tij si xhambaz i mirënjohur dhe me shumë probleme personale e ligjore në Kosovë prej mashtrimeve, por dhe në Shqipëri, Mali i Zi e Maqedoni; Ekrem Lluka, mundi të gjente “çelësin” e korruptimit edhe në trupën gjyqësore të Shkallës së Parë të Prishtinës.
Në vendimin e parë, gjykata detyronte kompaninë debitore “Dukagjini Invest”, të shlyente vlerën 864 mijë Euro ndaj palës tjetër; ndërsa në vendimin e dytë, e njëjta trupë gjyqësore, ndryshoi mendim dhe tha, se faturat nuk janë të sakta dhe detyrimi financiar nuk duhet paguar.
Provat e këtij mashtrimi, korruptimi gjyqësor e përvetësimi vlerash të mëdha financiare, i sqarojnë me detaje, kontratat mes palëve dhe vendimet përmbarimore e gjyqësore në Kosovë, të sekserizuara e blera nga Ekrem Lluka, i cili ka futur kthetrat dhe në Shqipëri.
Në Kosovë, biznesmeni Ekrem Lluka mashtron e zhvat kontraktorët, duke mos u paguar detyrimet financiare, ndërsa në Shqipëri, kryeministri Edi Rama e ka shpallur “Investitor Strategjik- Status i Veçantë”.
Për kompaninë “Dukagjini Group Sh.p.k”, qeveria shqiptare ka miratuar Vendim Special Nr. 71, datë 29 janar 2025, që Ekrem Lluka, të ndërtojë resort, kazino e kompleks pallatesh në zonën Mali i Rencit- Shëngjin, me sipërfaqe 5.9 hektarë dhe vlerë investimi 70 milionë Euro, për të cilat nuk ka deklaruar burim të ardhurash.
Por në muajin dhjetor 2024, biznesmeni kosovar Ekrem Lluka, është marrë i pandehur nga Prokuroria Speciale e Prishtinës, për mashtrim e evazion fiskal, pastrim parash të krimit e korrupsionit, grabitje pasurie shtetërore e private dhe falsifikime dokumentesh./Pamfleti

















































