Kryefjala Logo

25 vjeçari që u vra nga biznesmeni italian: E qëlloi dhe e fshehu në pyll

26 Qershor, 2025 | 6:57 pm

Personi që shihni në foto është Rivaldo Rusi, 25-vjeçari shqiptar që u gjet i vdekur pas disa ditësh kërkime në Foria di Centola të Italisë pasi u qëllua me armë zjarri nga pronari i banesës që kishte shkuar për të vjedhur i shoqëruar nga dy persona të tjerë.

Biznesmeni përgjegjës për vrasjen e një të riu shqiptar dhe plagosjen e një të riu tjetër të së njëjtës kombësi ka rrëfyer fajin. Një rrëfim që shënoi një pikë kthese dramatike në hetimin për vrasjen e një hajduti të ri shqiptar në Cilento. Aurelio Valiante, një biznesmen i njohur 58-vjeçar i ndërtimit, ka pranuar vrasjen e Rivaldo Rusit, 25 vjeç, banor i Francolise, në zonën Agro Caleno, dhe fshehjen e trupit të tij.

Siç bëjnë me dije mediat italiane, zbulimi erdhi pas një marrjeje të gjatë në pyetje të kryer nga karabinierët dhe magjistrati. Faktet datojnë që nga nata midis të dielës dhe të hënës, kur një bandë hajdutësh hynë me forcë në vilën e Valiantes. Biznesmeni thuhet se ka marrë një pushkë gjuetie dhe ka qëlluar me armë.

Një nga plumbat plagosi rëndë një të ri tjetër shqiptar, 28 vjeç, i cili është ende i shtruar në spital me një prognozë të rezervuar në spitalin Cardarelli në Napoli. Rivaldo Rusi, 25 vjeç, u vra menjëherë. Biznesmeni tani do të dënohet për vrasje, fshehje të një kufome dhe lëndime të rënda trupore. Që nga dje, në Sant’Andrea del Pizzone, një lagje e populluar në komunën e Francolise, shtëpia e viktimës ka qenë një vend pelegrinazhi për shumë bashkatdhetarë që janë mbledhur rreth familjes së viktimës. Rivaldo lë pas një grua të re dhe një djalë të vogël.

Të ngjashme