Lajme
Vrasja e 32 vjeçares në Florida, ish burri del para Gjykatës i pa penduar
31 Janar, 2024 | 8:41 pm

Gati një ditë pasi kreu një sërë krimesh, shqiptari Renato Muhaj ka dalë para gjykatës në SHBA. Janë 8 akuza që rëndojnë mbi shqiptarin, më e rënda ajo e vrasjes së ish-partneres Suela Saliaj, gjithashtu shqiptare.
Prokuroria e Largo në Florida thotë se krimet e 34-vjeçarit u rënduan në një hark kohor prej pak orësh.
Mediat amerikane publikuan pamjet e Muhaj në gjykatë.
Gjyqtari i lexoi atij listën e gjatë të akuzave, i vendosi 50 mijë dollarë si garanci pasurore dhe e njoftoi se nuk do të ishte e mundur ta përdorte këtë të drejtë, për shkak të akuzës së vrasjes së shkallës së parë.
Në dosjen hetimore të publikuar nga mediat amerikane, detektivët përshkruajnë sulmin e Muhajt ndaj prindërve të tij në Clearwater rreth orës 02:45 të së hënës dhe sesi nuk i lejoi që të telefonin 911. Detektivët thonë se më pas ai shkoi tek shtëpia e Suelës, në Largo, ku përdori përforcues grushti dhe thikë për ta rrahur dhe vrarë atë në sy të vajzës së tyre 8-vjeçare.
Vajza e vogël i tha policisë se e kishte pyetur të atin se përse ia vrau të ëmën dhe ai i tha se “donte që Suela të vdiste”. Hetuesit i gjetën armët e krimit në vendin e ngjarjes. 8-vjeçarja rrëfeu po ashtu se pas vrasjes, i ati e tërhoqi me forcë për ta futur në makinë.
Gjykatësi u sigurua po ashtu që Muhaj nuk do të jetë kurrë në gjendje ta shohë vajzën e tij, nëse ndonjë ditë del nga burgu. Ndërkohë, vetë 34-vjeçari në gjykatë nuk shprehu asnjëlloj emocioni. Ai pati vetëm një pyetje: “A do caktoni avokat për mua?”
“Po”, iu përgjigj gjyqtari, duke shtuar se avokati ishte prezent në seancë.
Në mesin e akuzave që rëndojnë mbi 34-vjeçarin janë vrasje, abuzim me të miturit, rrëmbim dhe dhunë ndaj vetë prindërve të tij.


















































