Lajme
Tirana në kolaps, kryeqyteti bllokohet i gjithi nga trafiku
20 Dhjetor, 2024 | 6:14 pm

Trafiku i rënduar gjatë gjithë ditës së sotme është kthyer në makth për mijëra shoferë në Tiranë.
Thuajse të gjitha rrugët e kryeqytetit kanë patur një mbingarkesë të madhe, duke çuar në disa raste në bllokimin e tyre për kohë të gjata.
Njëri krah i rrugës së Elbasanit, nga rrethrrotullimi i Saukut e deri te “Xhuxhat”, thuajse është bllokuar tërësisht.
Kryqëzimi i spitalit Nënë Tereza gjatë gjithë ditës së sotme ka qenë tepër i rënduar dhe vijon të jetë gati i bllokuar, duke shkaktuar probleme edhe për rrugën e Xhamllikut dhe të “Dibrës” drejt Kinostudios.
Të rënduara nga trafiku janë edhe disa akse të Unazës së Vogël, përgjatë bulevardit Bajram Curri deri te “Piramida”. Rruga e Kavajës është thuajse e paralizuar, sipas të dhënave satelitore “live” nga Google dhe aplikacione të tjera.
Trafik i rënduar ështe edhe në Unazën e Madhe, në dy skajet e saj, në zonën e Selitës dhe Paskuqanit.
Hyrja e Tiranës nga autostrada e Durrësit, nuk bën përjashtim as sot. Prezenca e policëve rrugorë ka qenë e shtuar në disa prej kryqëzimeve më problematike, gjatë gjithë ditës së sotme, por mesa duket, pa i ndihmuar dot situatës.
Moti i keq dhe lëvizjet e shtuara me rastin e festave të fundvitit duket se kanë ndikuar në rëndimin e trafikut, përveç problemeve ekzistuese si rrugë të ngushta, të amortizuara, mungesë e parkingjeve e të tjera.



















































