Lajme
“Të quhet Partia e Bulevardit”, Alfred Cako: Protesta të shndërrohet në një parti politike
5 Qershor, 2026 | 8:39 pm

Alfred Cako ka qenë një nga folësit në protestën e zhvilluar këtë të premte përpara Kryeministrisë në Tiranë, e cila shënoi ditën e gjashtë radhazi të mobilizimit qytetar kundër qeverisë dhe projektit të investimit në Zvërnec.
Gjatë fjalës së tij para protestuesve, Cako kërkoi që kjo lëvizje të mos mbetet vetëm në nivel proteste, por të organizohet në një strukturë politike që sipas tij mund të përfaqësojë interesat e qytetarëve.
“Duhet të krijoni një lëvizje politike. Mund ta quani Partia e Bulevardit”, u shpreh ai para të pranishmëve, duke argumentuar se lëvizja ka lindur nga qytetarët që po protestojnë çdo ditë në bulevard.
Cako theksoi gjithashtu nevojën për ndryshime në sistemin politik dhe zgjedhor, duke deklaruar se vendi ka nevojë për një ekuilibër të ri pushtetesh dhe për një organizim më të fortë të qytetarëve.
Sipas tij, protestuesit duhet të ndërtojnë një strukturë të qëndrueshme që të mos lejojë, siç tha ai, që lëvizja të kontrollohet nga interesa të tjera politike.
Protesta e sotme para Kryeministrisë ishte e gjashta me radhë dhe nisi si reagim ndaj zhvillimeve në Zvërnec, por tashmë është shndërruar në një manifestim me kërkesa më të gjera politike, ku protestuesit kanë kërkuar dorëheqjen e qeverisë dhe ndryshime në disa ligje që lidhen me investitorët strategjikë dhe zonat e mbrojtura.


















































