Kryefjala Logo

Operacioni përfundon me sukses, Eriksen lë spitalin

18 Qershor, 2021 | 8:29 pm

Një lajm i mirë vjen sa i përket lojtarit të Danimarkës, Christian Eriksen. Federata daneze njofton se ai ka lënë spitalin dhe se operacioni është kryer me sukses.

“Christian Eriksen është operuar me sukses dhe më pas është larguar nga Rigshospitalet. Futbollisti ka bërë një vizitë në qendrën e grumbullimit të kombëtares në Helsingor dhe më pas është kthyer në shtëpinë e tij, ku do të qëndrojë në prani të familjarëve”,, thuhej në njoftimin e federatës daneze.

Po nëpërmjet faqes zyrtare të qeverisë së futbollit në Danimarkë, ka folur edhe vetë Eriksen, ku ka theksuar se operacioni ka shkuar më së miri dhe se tani do të bëjë tifo për përfaqësuesen e tij, duke nisur nga ndeshja e të hënës ndaj Rusisë.

“Ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen e jashtëzakonshme, që ishte e pabesueshme ta shihje dhe përjetoje. Operacioni shkoi mirë dhe unë po rikuperohem mirë, duke ndjekur këshillat e mjekëve. Ishte diçka fantastike të takoja djemtë në qendrën stërvitore, pas asaj ndeshjeje të shkëlqyer mbrëmë ndaj Belgjikës. Nuk ka nevojë ta them se do të bëj tifo për ta, të hënën ndaj Rusisë”, u shpreh Eriksen.

Futbollisti danez u shemb në fushë dhe zemra iu ndal për disa sekonda, por falë ndërhyrjes së shpejtë të ekipit mjekësor, ia doli të rikthehej në jetë, ndërsa sot kreu një ndërhyrje kirurgjikale për të vendosur edhe një defibrilator automatik.

Nuk dihet ende nëse defibrilatori në trupin e Eriksen do të jetë i përkohshëm apo i përjetshëm, megjithatë nëse konfirmohet opsioni i dytë, atëherë danezi nuk mund të rikthehet më te Interi, pasi rregullat e Serisë A e ndalojnë të luajë me një pajisje të atillë në trup.

Të ngjashme