Lajme
“Një kafe me Adriana Kalanë” – Mesazhi i fortë i Agim Xhafkës në ditën e heshtjes zgjedhore
10 Maj, 2025 | 11:21 am

Në një status të shpërndarë në rrjetet sociale, shkrimtari dhe gazetari i njohur Agim Xhafka ka ndarë një përjetim të veçantë nga një kafe e zakonshme mes miqsh në zemër të Tiranës, që u kthye në një reflektim politik e qytetar në mbështetje të kandidates për deputete Adriana Kalaja.
Në atmosferën e heshtjes zgjedhore, ndërsa bisedat politike vazhdojnë të zhurmojnë në lokalet e kryeqytetit, Xhafka sjell një moment njerëzor nga një tryezë e zakonshme ku politika, humori dhe vendosmëria për të votuar bashkëjetojnë natyrshëm.
“Adriana Kalanë. Pikë,” thotë me siguri njëri nga të pranishmit në tavolinë, duke reflektuar një vendim të kthjellët që përsëritet nga të gjithë të pranishmit. Në statusin e tij, Xhafka përshkruan me nota satirike dhe plot ngjyra një tavolinë ku të gjithë kishin një emër të përbashkët në mendje: Adriana Kalaja. Madje edhe kamarieri, pas një llogarie me tetë kafe, përfshin edhe emrin e Adrianës në faturë, si simbol i pranisë së saj në çdo bisedë.
Për Xhafkën dhe të pranishmit, Kalaja nuk është vetëm një emër në listë. Ajo është simbol i këmbënguljes, qëndrueshmërisë dhe integritetit në një politikë shpesh të kalbur. “Do votoj për Adrianën, se qëlloj në shenjë,” shkruan ai, duke e përmbyllur me një krahasim të fuqishëm: “Si ajo që ia mban në lule të ballit kalbësirës dy metra larg.”
Ky status, që po shpërndahet gjerësisht në rrjetet sociale, është jo vetëm një mbështetje publike për kandidateshën e Partisë Demokratike, por edhe një shembull i rrallë se si ndershmëria, forca e karakterit dhe lidhja me qytetarët tejkalojnë propagandën dhe listat e mbyllura.



















































