Kryefjala Logo

Koncerti i Kanye West apo nisja e një projekti gjigant ndërtimi? Dyshimet për kullat pranë hyrjes së Tiranës në Kashar

31 Maj, 2026 | 10:57 pm

Një sipërfaqe gjigante prej rreth 65 mijë metrash katrorë në hyrje të Tiranës, pranë autostradës dhe nyjes së “Casa Italia”, po transformohet me ritme të shpejta, duke ngritur pikëpyetje të shumta mbi atë që pritet të ndodhë pas koncertit të paralajmëruar të reperit Kanye West më 11 korrik raporton portali JOQ.

Zona, e cila deri pak kohë më parë ishte tokë e lirë, aktualisht po nivelohet me mjete të rënda dhe mbetje inerte për ngritjen e një stadiumi provizor me kapacitet rreth 60 mijë persona. Organizatorët flasin për një super koncert me kosto marramendëse që thuhet se arrin deri në 50 milionë euro për vetëm një natë.

Edhe pse autoritetet kanë deklaruar se fondet nuk do të dalin nga buxheti i shtetit, institucionet publike janë angazhuar në logjistikë dhe lehtësira për organizimin e eventit. Ndërkohë, çmimet e biletave që variojnë nga 99 deri në 339 euro kanë ndezur debat në rrjet për fitimet e mundshme të koncertit.

Por pas gjithë zhurmës së spektaklit, duket se fshihet edhe një tjetër projekt shumë më i madh. Në të njëjtën kohë kur flitet për koncertin, Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit ka miratuar në heshtje një leje ndërtimi për të njëjtën sipërfaqe toke vijon raportimin portali JOQ.

Sipas informacioneve të publikuara, projekti i quajtur “Green City Towers” do të zhvillohet nga kompania “M.C. INERTE SHPK”, në pronësi të biznesmenit Mark Luli. Projekti parashikon ndërtimin e 6 kullave masive deri në 21 kate, si dhe një kompleks me hotele dhe qendra biznesi në zonën mes autostradës dhe lumit Lana.

Dyshimet janë shtuar edhe më shumë pasi thuhet se pas përfundimit të koncertit dhe çmontimit të stadiumit provizor, në të njëjtin truall do të nisin menjëherë punimet për kullat. Sipas kritikëve, pastrimi dhe nivelimi i terrenit që po bëhet aktualisht për koncertin, në fakt i shërben drejtpërdrejt nisjes së projektit të ndërtimit.

Debati për këtë projekt ka nisur të marrë vëmendje të madhe në rrjetet sociale, ku shumë qytetarë po pyesin nëse koncerti po përdoret si “mbulesë” për një zhvillim të madh urban në periferi të Tiranës.

Të ngjashme