Showbiz
Rita Ora rrëfen ritualet e gjyshes shqiptare: Lexonte filxhanin dhe…
24 Korrik, 2026 | 8:52 am

Rita Ora ka treguar se mes ritmit të ngarkuar të punës dhe udhëtimeve të vazhdueshme ka një objekt të veçantë që e mban pothuajse gjithmonë pranë vetes: një varëse të personalizuar me kristale.
Në një intervistë për “The New York Times”, këngëtarja me origjinë shqiptare ka zbuluar se varësja ishte dhuratë nga një prej shoqeve të saj më të ngushta për ditëlindjen e 34-të. Ajo është krijuar posaçërisht për Ritën dhe përmban disa lloje kristalesh, të zgjedhura sipas kuptimeve që u atribuohen atyre.
Artistja shpjegoi se e sheh këtë objekt si një mënyrë për të larguar stresin, për të ruajtur energjinë dhe për të qëndruar e përqendruar mes presionit të industrisë së argëtimit.
Varësja përmban citrin, kuarc të tymosur, ametist të gjelbër dhe kuarc të pastër. Rita pranoi se nuk mund të thotë me siguri nëse ndikimi që ndien është psikologjik, por ajo beson te energjia e kristaleve.
“Ndoshta është thjesht mendore, por ndihem e mbrojtur. Ndihem më e qëndrueshme. Nuk e di nëse është placebo, por besoj se këto gjëra mbajnë energji dhe energjia është reale”, është shprehur ajo.
Këngëtarja tregoi se varësen e vendos sa herë që mundet. Kur ajo nuk përshtatet me veshjen, Rita e mban në çantë, në mënyrë që ta ketë gjithmonë pranë.
Gjatë rrëfimit, Ora e lidhi këtë anë të saj edhe me origjinën shqiptare dhe traditat me të cilat është rritur. Ajo tregoi se bestytnitë kanë qenë të pranishme në familjen e saj që në fëmijëri, duke kujtuar edhe gjyshen.
“Jam supersticioze. Mendoj se ne, evropianët lindorë, sidomos unë që vij nga një familje shqiptare, jemi rritur me bestytni”, tregoi Rita, duke shtuar se gjyshja e saj praktikonte rituale gjatë hënës së plotë dhe lexonte filxhanin e kafesë.
Ndërkohë, artistja vazhdon të jetë e angazhuar në disa projekte në muzikë dhe kinematografi, duke kombinuar xhirimet me koncertet dhe përgatitjen e muzikës së re.












































